Keita, pasuesi i Gerrardit te Liverpooli

Sport July 23, 2018 - 14:35
Detajet

Naby Keita më në fund iu bashkua Liverpoolit nga Leipzigu gjatë kësaj vere. Atij i është dorëzuar fanella me numrin 8, që vetëm para pak vjetësh i ka takuar kapitenit legjendar Steven Gerrard.  Futbollistin nga Guinea e pret një punë e madhe për të qenë një pasues i denjë i Gerrardit. Mesfushori është duke kaluar një fazë mjaft të mirë përgatitore me Liverpoolin dhe pritet të ketë ndikim të madh te klubi anglez në këtë edicion, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Naby Keita iu bashkua Liverpoolit gjatë kësaj vere, pothuajse një vit pasi klubi anglez ia kishte paguar Leipzigut klauzolën e tij. Në momenti kur ai e pranoi këtë lëvizje atij iu kujtua fëmijëria e tij. Keita është rritur në kryeqytetin e Guinesë. Ai ishte kryesisht tifoz i Barcelonës, por në Angli ekipi i tij ishte Liverpooli. Kur ai luante futboll në rrugë me babanë e tij Sekou, ai vishte fanellën e kuqe dhe sillej sikur të ishte Steven Gerrardi. Të gjitha këto kujtime u rikthyen teksa Liverpooli dhe Leipzigu e përmbyllën transferimin prej 52.75 milionë eurosh dhe fantazia e tij nuk ishte më vetëm fantazi. Ajo çfarë ndodhi më pas ishte sureale. Në prezantimin e tij, duke mbajtur fanellën me numrin 8 në shpinë, ishte Gerrard për t’ia bërë atij një prezantim special. Ky numër ka qenë i lirë që prejse Gerrardi e veshi atë për herë të fundit në humbjen turpëruese 6:1 nga Stoke City në maj të vitit 2015. Në gusht të 2017-ës Jurgen Klopp ishte i bindur që Liverpooli e kishte gjetur njeriun e duhur për këtë numër. Dorëzimi i fanellës te Keita nga Gerrardi ishte si një lloj rituali i lejekalimit.

“Ishte një surprizë. Kur erdha këtu nuk e dija se Steven do të ishte në ‘Melwood’. Ishte emocionuese që të prezantohesh me një fanellë të dorëzuar nga ai”, deklaroi Keita.

“E kam shikuar atë teksa rritesha. Unë jam mesfushor dhe Steven ishte gjithmonë aty si shefi i ekipit, kështu që unë nuk mund të isha askush tjetër përveç Gerrardit kur luaja. Unë e adhuroja atë, kështu që ajo ishte një ditë e veçantë. Ai më thoshte, ‘të gjithë do të jenë këtu për ty. Ne do të të ndihmojmë ty’. Duke u kthyer pas në fëmijëri tetëshi ishte një numër që e kam pëlqyer gjithmonë. Babai e vishte kur luante dhe jam i vetëdijshëm që është një numër i madh këtu në Liverpool. Por, unë nuk do t’i vendos presion më të madh vetes. Jam i përqendruar që të kontribuoj për këtë skuadër”, shprehej futbollisti nga Guinea.

Duket sikur Keitas i është dashur një jetë për të arritur në “Anfield”. Kështu që ndoshta një histori e shkurtët kërkohet për të shpjeguar pse po bëhet gjithë kjo bujë për një lojtar që ende nuk e ka goditur topin në Premierligë.

Disa janë të bindur se ai do të bëhet njëri prej yjeve të skuadrës, por Klopp e njihte potencialin e Keitas qysh prej transferimit të tij te Red Bull Salzburgu në vitin 2014, kur ish-trajneri i Liverpoolit Gerrard Houllier ia kishte rekomanduar atë. Klopp më pas e pa zhvillimin e tij te Lepzigu kur u transferua në 2016-n, pasi që ishte shpallur “Lojtari i Vitit” në Austri. Keita është vetëm 1 metër e 72 centimetra, por 23-vjeçari është i fuqishëm, i zgjuar, me një goditje të rrufeshme dhe me pasime të sakta. Klopp dëshironte që ta transferonte atë që prej fillimit të edicionit 2017-2018, por Leipzigu nuk dëshironte ta shiste menjëherë dhe më pas u arrit kompromisi. Liverpooli, i vetëdijshëm për interesimin e Bayern Munichut dhe të Barcelonës, pagoi një shumë të lartë për ta nxjerrë atë jashtë tregut.

“Pasi që e pranova se isha ende një lojtar i Leipzigut unë thjesht vazhdova dhe e shijova edicionin. Gjatë edicionit të kaluar unë isha i emocionuar që do të vija këtu”, thotë Keita. 

Por, edicioni i kaluar nuk kaloi pa incidente. Përveç një përplasjeje me një bashkëlojtar në stërvitje Keita mori katër kartonë të kuq, tre prej të cilëve në shtatë ndeshje dhe ishte i suspenduar në një pjesë të fillimit të edicionit. Jashtë fushës ai ishte dënuar me 220.000 funte për shkak të përdorimit të dokumenteve false për të marrë patentën e shoferit.

I pyetur për atributet e tij Keita thotë: “Kam një dëshirë të madhe për të fituar. Kjo është arsyeja se pse jam agresiv, në aspektin pozitiv. Mendimi im i parë në fushë është që të mbroj mirë dhe të mos pësoj. Unë jam një lojtar ekipor. Gjithmonë”.

Por, ai është më shumë sesa thjesht një futbollist që ndërhyn. Ai mund të pasojë, ai mund të vrapojë, ai mund të diktojë lojën nën presion. Atë e presin sfida të mëdha përpara, por Keita dukej sikur një “Rolls-Rouce” në fitoren 2:0 të Liverpoolit në miqësoren ndaj Blacburnit të enjten.

Tifozët e Liverpoolit tashmë kanë filluar të këndojnë për yllin e tyre të ardhshëm dhe në Guine Keita tashmë është në piedestalin e njëjtë me Mohamed Salahun në Egjipt. Keita tashmë është një thesar kombëtar. Objektivi i tyre i ardhshëm është që ai t’i tregohet botës.

“Reagimi (në Guine) do të më inkurajoj edhe më shumë për të punuar fort. Është diçka e jashtëzakonshme. Nuk kam qenë në shtëpi gjatë pushimeve të kësaj vere, por nga ajo çfarë më kanë thënë njerëzit në telefon e di se ka qenë një çmenduri. Ata po blejnë fanella të Liverpoolit ose thjesht fanella të kuqe, çfarëdo që munden. Por, kjo më motivon mua që të punoj edhe më shumë. Është gjithçka për dëshirën që ta kërkosh atë sa duhet dhe të luftosh për të. Dëshira dhe besimi shkojnë së bashku”, përfundoi Keita./Zëri