Drenica në aksion!

Sport July 23, 2018 - 13:13

Gjatë fundjavës që lamë pas Drenica ishte mjaft aktive në tregun e futbollistëve, i cili vazhdon të jetë i hapur konform afatit kalimtar për futbollistë.

Është drejtori Tahir Lushtaku ai i cili i ka gëzuar tifozët drenicas pasi ka arritur t’i transferojë në Skenderaj tre futbollistë mjaft cilësorë, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubi kuqezi ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me Qemail Elshanin, të cilin e nxori nga Feronikeli.

Po ashtu Lushtaku ka nënshkruar kontrata edhe me dy ish-futbollistët e Lirisë, mbrojtësin anësor Besat Islamajn dhe mesfushorin defanziv Vigan Rexhajn.

Me të dy ata Drenica ka nënshkruar kontrata njëvjeçare. Si përforcim po konsiderohet edhe vazhdimi i kontratës me futbollistin cilësor Arbios Thaçin.

Nga Skenderaj janë paralajmëruar edhe ardhje të tjera të reja. Kuqezinjtë në sezonin e ri pritet të jenë më të fortë dhe më të organizuar sesa në kampionatin e kaluar.

Në kampionatin e kaluar Drenica ka luftuar për t’i ikur barazhit, gjë që e ka bërë me vështirësi, duke përfunduar në vendin e shtatë me 48 pikë. /Zëri/