Më i miri, gratis!

Sport July 23, 2018 - 13:04

Superligës së Kosovës në sezonin e ri do t’i mungojë futbollisti më i dalluar i kampionatit të kaluar, shkruan sot gazeta Zëri.

Fjala është për Mirlind Dakun, i cili në edicionin e kaluar i shënoi 17 gola për Llapin, duke u bërë realizuesi më i mirë në elitë.

Mirëpo, në edicionin e ri sulmuesi do të luajë në Kroaci, ku gjatë fundjavës e kompletoi transferimin në Osijek prej Llapit.

Transferimi i tij në Osijek ka lënë boshllëk të madh në skuadrën nga Podujeva.

Pavarësisht kësaj llapjanët i janë gëzuar këtij transferimi për shkak se Dakut i janë hapur më shumë mundësi për zhvillim dhe depërtim në futbollin evropian.

Kjo është ajo që i gëzon më së shumti drejtuesit e Llapit, ndonëse klubi i tyre nuk është që ka përfituar diçka financiarisht nga ky transferim, edhe pse bëhet fjalë për golashënuesin më të mirë që e kishte Superliga kosovare.

Drejtori i Llapit Tahir Batatina ka theksuar se në stadiumin “Zahir Pajaziti” tash për tash nuk do të vijë ndonjë para e kënaqshme prej Osijekut, por ato mund të vijnë pas pak vjetësh në rast se klubi kroat e shet kartonin e lojtarit në ndonjë klub tjetër.

“Transferimi është kryer me marrëveshje në mes dy klubeve. Për ne ka qenë me rëndësi transferimi i Dakut jashtë vendit, duke e ditur potencialin e tij. Pra, nuk kemi dashur ta pengojmë zhvillimin dhe përparimin e tij, por kemi dashur ta shtyjmë përpara. Ky ka qenë prioriteti ynë”, ka thënë Batatina.

“Ne e kemi një marrëveshje me Osijekun. Ne nuk kemi kërkuar ndonjë dëmshpërblim, por klubi kroat dëshiron të na dhurojë një shumë simbolike. Ndërsa Llapi do të marrë të holla nga kontrata e dytë e Dakut, neve do të na takojë 10-përqindëshi i transferimit të dytë të tij”, ka treguar Batatina.

Daku ishte një futbollist shumë i pëlqyer nga Batatina, tek i cili gëzonte besim dhe hapësirë të madhe për të luajtur në kohën kur ai ishte trajner.

Batatina ka treguar për mënyrën sesi Daku bëri “boom” në Podujevë, ku kishte shkuar si një lojtar “i injoruar” nga Drita.

“Mirlindi ka qenë një lojtar i panjohur, por me punë, me angazhim dhe me seriozitet ai ka arritur deri në këtë nivel. Mendoj se duhet t’u japim hapësirë lojtarëve të rinj që të arrijmë këso rezultatesh. Ky transferim i Dakut më bën krenar edhe për punën time me lojtarin sa isha trajner”, është shprehur Batatina, i cili e lavdëronte Dakun edhe kur ekipi i tij humbiste.

Sulmuesi 20-vjeçar ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin prej të cilit pati dalë legjenda kroate, Davor Suker. /Zëri/