’89-shi mund të përfundojë në gjykatë!

Sport July 21, 2018 - 13:48
Detajet

Ish-futbollistët e Trepçës ’89, Arbër Potoku, Lapidar Lladrovci, Fiton Hajdari, Përparim Islami, Bledar Hajdini dhe Argjend Mustafa e kanë shprehur indinjatën e thellë në kryesinë e klubit, respektivisht kryetarin Abedin Zeka, pasi sipas tyre, klubi mitrovicas nuk e ka respektuar mundin dhe djersën e derdhur, duke ua mohuar të drejtën e tyre kontraktuale, shkruan sot gazeta "Zeri". 

 “Jemi thellësisht të indinjuar. Nuk na kanë paguar tri pagat e fundit të kontratës (prill, maj e qershor). Për këtë shkak kemi vendosur të reflektojmë, mjaft më! Ne, që me angazhimin tonë kontribuuam në suksesin e vitit të kaluar duke e shpallur Trepçën ’89 kampione dhe duke ia dhënë të drejtën të luajë në Ligën e Kampionëve, si ekipi i parë historik, me ç’rast i kemi siguruar të ardhura të majme (rreth 500 mijë euro nga FFK-ja dhe UEFA), nuk e meritojmë këtë trajtim. Paramendoni sportdashës të dashur, jemi bërë kampionë si ekipi me pagat ndër më të ultat nga ekipet pretendonte, duke mos e pasur as si prioritet titullin, ndërsa në fund nuk na është dhënë asnjë cent si shpërblim”, shkruajnë futbollistët e lartpërmendur.

“Në rregull, shpërblimin nuk e kemi pasur të cekur në kontratë, por pagat?! Kur kemi komunikuar me kryetarin Abedin Zeka rreth pagave, ai na ka thënë: paga e muajit prill nuk do të na paguhet për shkak se e kemi humbur ndeshjen kampionale ndaj Gjilanit, paga e muajit maj me arsyen se nuk i kemi vazhduar stërvitjet deri në fund të qershorit, edhe pse trajneri na ka dërguar në pushim në fund të majit, ndërsa pagën e muajit qershor jemi të dënuar për shkak se nuk i kemi vazhduar kontratat edhe për një vit me 89-shin”, ankohen gjashtë futbollistët, të cilët kanë bërë ankesë në FFK dhe po presin përgjigje. Ata kërcënojnë se lëndën do ta çojnë në UEFA, por edhe në gjykatë, pasi i kanë faktet dhe dokumentet e nevojshme për padi./ZERI