Adoleshenti i mrekullive

Sport July 21, 2018 - 10:26
Guendouzi i kushtoi Arsenalit rreth 8 milionë euro

Arsenali transferoi një adoleshent të jashtëzakonshëm para disa javësh. Klubi londinez pagoi rreth 8 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e Matteo Guendouzit nga klubi i ligës së dytë franceze, Lorient. Francezi pritet t’i sjellë freski të madhe ekipit të Unai Emeryt, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Matteo Guendouzin e pret një e ardhme e ndritshme tek Arsenali. Adoleshenti francez nënshkroi me klubin anglez para disa javësh, ndërsa pritet që ai t’i sjellë vlera të mëdha ekipit të Unai Emeryt. Por, çfarë lloj lojtari është ai dhe pse ishte klubi aq vendimtar për të nënshkruar me të?

Guendouzi e filloi karrierën e tij si lojtar i ri te Paris Saint-Germaini para se të lëvizte në drejtim të Lorientit në vitin 2014. Ai e bëri debutimin e tij si 17-vjeçar në tetor të vitit 2016 para se të bënte shtatë paraqitje për ekipin e parë, duke pasur një saktësi prej 91,2% të pasimeve në edicionin debutues. Ai dukej se kishte zënë menjëherë vendin në formacionin titullar qysh në fillimin e edicionit të kaluar pas rënies së Lorientit nga liga, por ai ishte lënë jashtë skuadrës për tre muaj pas një problemi që kishte pasur me trajnerin Mickael Landreau në pjesën e parë në ndeshjen kundër Valenciennes, në nëntor.

Mungesa e ndeshjeve kishte bërë që të raportohej se ai nuk do të nënshkruajë kontratë të re dhe gjithashtu në Francë raportohej se ai është një lojtar i vështirë për t’u menaxhuar, edhe pse nuk konsiderohet që Lorienti u përball mirë me këtë situatë.

LEXO EDHE: Reali në kërkim të emrave të mëdhenj

Në aspektin e stilit të lojës Guendouzi, i cili është paraqitur në nivelet U-18, U-19 dhe U-20, është një mesfushor me fizik të mirë, luftarak dhe shquhet për pasime, që është një vlerë e tij teknike. Ai gjithashtu mund të luajë shumë mirë kur është nën presion.

Forca e tij kryesore është leximi i lojës me dëshirën e tij për të bërë ndërhyrje, edhe pse nuk është edhe aq i aftë, ai zgjedh momentin e duhur dhe zakonisht e rrëmben topin me rrëshqitje.

Guendouzi ishte njëri prej pasuesve më të mirë të skuadrës së tij në edicionin e kaluar dhe është i njohur jo vetëm për saktësinë, por edhe për rrezikun që sjell me favorizimet e tij për topa të gjatë ose pasime të shpejta mes mbrojtësve të krahut dhe atyre të qendrës. Edhe pse mjaft i gjatë, dobësia e tij në ajër është vërejtur disa herë teksa është parë në duelet në ajër.

Mesut Ozil, Alexandre Lacazette, Pierre Emerick-Aubameyang dhe Henrikh Mkhitaryan janë disa prej aseteve sulmuese të Arsenalit, por pozicioni para mbrojtjes është zona ku atyre u nevojitet një futbollist prej kohësh. Ai mund të garojë me Ainsley Maitland-Niles për një vend të mesfushorit defensiv tek Arsenali dhe pritet që të ketë paraqitje sporadike gjatë sezonit të ardhshëm, ose ndoshta një huazim i mundshëm mund t’ia sjellë atij përfitimet e duhura.

Tifozët e Arsenalit nuk duhet të presin shumë nga një lojtar, i cili ende ka një rrugë të gjatë për t’u zhvilluar para se të bëhet një figurë kyçe për “topçinjtë”, por ai është entuziast për të mësuar dhe ka talent të qartë. Arsenali pa dyshim që ka siguruar një futbollist me perspektivë për të ardhmen. /ZERI