4 skuadrat shqiptare të mbetura në Europë, ja kur luajnë

Sport July 20, 2018 - 18:00
Detajet

Viti 2018 ishte historik për klubet shqiptare, që u prezantuan në kupat e Europës me numrin rekord të 8 skuadrave, nga të gjitha trevat.

Tashmë, gjysma e tyre do të vazhdojnë rrugëtimin në arenën ndërkombëtare, Kukësi e Shkëndija në Champions dhe Laçi e Drita në Europa League. Kukësi dhe Shkëndija u kualifikuan mes vështirësive dhe tashmë presin ndeshjet në turnin e dytë kualifikues. 

Kundërshtarët janë të përcaktuar nga shorti i hedhur paraprakisht në Nion. E para që do të zbresë në fushë është Shkëndija e Tetovës, që pasi kaloi uellsianët e Nju Seints, tashmë do të kenë si kundërshtarë moldavët e Sherif Tiraspol.

Bëhet fjalë për të njëjtën skuadër që ekzaktësisht një vit më parë i ndërpreu ëndrrën europiane Kukësit, që i shkoi shumë afër minimalisht fazës së grupeve në Europa League. Shkëndija do të luajë më 24 korrik kundër Sherifit, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet në Shkup.

Ndërkohë, pasi kaloi maltezët e Valetas, Kukësi do të luajë përballë Karabakut të Ansi Agollit në turin e dytë kualifikues të Champions. Një rival mjaft i vështirë, që në vitet e fundit ka dominuar futbollin në Azerbajxhan. Misioni nuk është i thjeshtë, por skuadra e Cungut do ta provojë duke nisur nga ndeshja e parë, më 25 korrik në “Loro Boriçi”.

Në Europa League, Laçi ruajti nderin e skuadrave të Kategorisë Superiore, duke kaluar një kundërshtar të nivelit të lart si Anorthosis. Pas mrekullisë me qipriotët, bardhezinjtë do të luajnë në turin e dytë kualifikues përballë norvegjezëve të Moldes. 

Avantazhi lidhet me faktin që Laçi e luan ndeshjen e parë, më 26 korrik në trasfertë dhe në takimin e kthimit do të jetë skuadër pritëse.Në po të njëjtat data dhe në të njëjtat pozita, pra me ndeshjen e kthimit në shtëpi, është edhe Drita. 

Sipas formatit të ri të UEFA-s, pas eliminimit në turin e parë të Champions, kampionët e Kosovës zbritën në turin e dytë të Europa League. Kundërshtari i radhës është Dudelange nga Luksemburgu, një skuadër që ka shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare, pasi luan gjithmonë, por që nuk cilësohet e pakalueshme. Drita beson te një tjetër mrekulli./SS/