Më të vlefshëm falë Botërorit

Sport July 19, 2018 - 14:41
Detajet

Harry Maguire, Yerry Mina dhe Eden Hazard kanë çmime më të larta tani sesa që i kishin para një muaji. Paraqitjet e mira të këtyre lojtarëve në Botëror kanë bërë që vlera e tyre të shtohet në tregun e transferimeve. Gjithashtu tashmë kanë filluar spekulimet për ndonjë transferim të mundshëm të tyre, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Kupa e Botës solli emocionet deri në përfundimin e saj. Si zakonisht një numri të futbollistëve vetëm sa u është shtuar reputacioni falë këtij kompeticioni. Tani që vëmendja ka rënë tek afati kalimtar i verës jua sjellim disa prej futbollistëve që u është shtuar çmimi falë paraqitjeve në “Rusia 2018”.

Eden Hazard, Belgjika/Chelsea

Eden Hazard nuk e ka fshehur fare interesimin e tij për një transferim të mundshëm te Real Madridi pas përfundimit të Kupës së Botës. Tifozët e Chelseat të paktën mund të ngushëllohen me faktin që vlera e tij është shtuar edhe më shumë falë paraqitjeve në Botëror. Kapiteni i belgëve realizoi 3 gola dhe 2 asistime në “Rusia 2018”.

Thomas Meunier, Belgjika/PSG

Progresi i Belgjikës në Kupën e Botës përfundoi kur në ekip nuk ishte Thomas Meunier, gjë që nuk është rastësi. Ai ishte shumë i rëndësishëm për skuadrën e Roberto Marinezit në fushë dhe mungoi në gjysmëfinale ndaj Francës. Mbrojtësi i djathtë realizoi një gol dhe 2 asistime.

Denis Cheryshev, Rusia/Villarreal

Mungesa e paraqitjeve në La Liga në edicionin e kaluar bëri që Cheryshev të mos jetë titullar në ndeshjen e parë në grup të Rusisë kundër Arabisë Saudite. Një lëndim i Alan Dzagoec ia dha Cheryshevit mundësinë për të luajtur dhe ai shkëlqeu. Me 4 gola në 304 minuta në aksion 27-vjeçari mund të ndërrojë ambient gjatë verës.

Harry Maguire, Anglia/Leicester City

Sa kushton madhësia e kokës së Harry Maguiret? Sigurisht më shumë sesa para Kupës së Botës. Qendërmbrojtësi ishte njëri prej armëve më të mira sulmuese të Anglisë falë ndërprerjeve. Falë paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme ai vlen shumë më shumë sesa 17 milionë funte, që pagoi Leicester City në verën e kaluar.

Yerry Mina, Kolumbia/Barcelona

Yerry Mina, një mbrojtës që pati të njëjtin impakt si Maguire nga ndërprerjet, pritet që të lërë pas 6 muajt zhgënjyes te Barcelona. Kolumbiani ishte transferuar te Barcelona në janar, por ai tashmë është lidhur me një largim. Katalonjasit presin që të sigurojnë një fitim nga lojtari që luajti në vetëm katër ndeshje si titullar gjatë edicionit të fundit.

Benjamin Pavard, Franca/Stuttgart

Para dy vjetësh Pavard kishte nënshkruar për klubin e ligës së dytë gjermane, Stuttgart dhe kishte shikuar Kampionatin Evropian me shokët e tij. Ai hyri në formacionin e Francës në fund të edicionit të kaluar pas një lëndimi te Djibril Sidibes. 22-vjeçari doli të ketë një rol vendimtar për Francën në rrugëtimin drejt triumfit në Botëror. Klubi gjerman mund të përfitojë një shumë të madhe me shitjen e mundshme të tij./Zëri