Këto janë synimet e Dritës në Europa League!

Sport July 19, 2018 - 12:50

Drita u eliminua nga Liga e Kampionëve, por eksperienca evropiane për klubin gjilanas nuk ka marrë fund, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit u eliminuan në rrethin e parë kualifikues nga Malmo, nga e cila humbën me rezultat të përgjithshëm 0:5.

Sidoqoftë, kampioni i Kosovës do të vazhdojë të jetë pjesë e futbollit evropian.

Bardhekaltrit do të luajnë në rrethin e dytë kualifikues të Europa Leagues dhe do të përballen me ekipin nga Luksemburgu, F91 Dudelange.

Pasi e mbyllën eksperiencën e paharrueshme në Champions tash gjilanasit po mendojnë për Europa Leaguen, ku po ashtu do të debutojnë.

Mirëpo, në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm evropian ekipi nga Anamorava do të mundohet të shkojë sa më larg.

“Siç e kemi kaluar një rund në Champions League, mendoj se edhe në Europa League do të synojmë të kalojmë sa më shumë dhe të kemi sa më shumë sukses. Na mbetet të shohim në ditët në vazhdim për ekipin kundërshtar dhe të përgatitemi sa më mirë, sepse e kemi një shans të kalojmë më tutje edhe në Europa League”, ka thënë për “Zërin” futbollisti i gjilanasve, Liridon Leci.

Mbrojtësi i krahut të majtë e ka komentuar edhe eksperiencën e paharrueshme në Champions dhe përballjen e dyfishtë me Malmon.

“Ishte një eksperiencë shumë e mirë, një emocion i veçantë si për ne futbollistët e po ashtu edhe për të gjithë njerëzit në klub, në kryesi dhe për të gjithë tifozët tanë ‘Intelektualët’, që kanë qenë përkrah nesh gjithmonë. Besoj se kemi arritur diçka të madhe pavarësisht humbjes nga Malmo. Me një fjalë, e kemi shijuar dhe besoj se ky ka qenë maksimumi ynë”, ka shtuar ai.

“Në ndeshjen e parë mendoj se nuk jemi paraqitur edhe mirë, sepse ndoshta e kemi vlerësuar Malmon pak më shumë se që duhet dhe besoj se kjo ndikoi edhe në lojën tonë. Ndërsa në ndeshjen e dytë kemi luajtur me një qasje më ndryshe dhe me një vetëbesim më të madh. Por, e theksoj që Malmo është superfuqi në Suedi. Edhe pse nuk ka një ecuri të mirë për momentin, është një superskuadër. Ky është maksimumi ynë, duhet të pajtohemi me këtë dhe të shohim përpara”, përfundoi Leci, i cili edhe vetë një kohë kishte luajtur në Suedi. /Zëri/