Mbappé, kampion me zemër të artë

Sport July 18, 2018 - 10:42

Kylian Mbappé e ka treguar shpirtin e tij human pasi e fitoi Botërorin 2018. Ylli i ri francez i ka dhuruar të gjitha të ardhurat nga triumfi në “Rusia 2018” për një organizatë. Sulmuesi i PSG-së ka thënë se nuk është e ndershme të marrë para nga vendi që e përfaqëson, prandaj paratë i dhuroi për bamirësi

Kylian Mbappé nuk është vetëm futbollist i artë, shkruan sot gazeta Zëri.

Ylli i ri i Paris Saint-Germainit shkëlqeu në Botërorin 2018, duke e ndihmuar Francën të shpallej kampione e botës.

Mirëpo, ish-futbollisti i Monacos nuk është kampion vetëm në fushë. Ai është kampion me zemër të madhe edhe jashtë fushës së blertë. Një njeri mjaft human, i cili nuk mendon vetëm për veten.

Gjithçka në bamirësi

Vetëm pak ditë pasi u shpall kampion bote me ekipin e tij kombëtar Kylian Mbappe ka vendosur që të gjitha të ardhurat nga Kupa e Botës t’i dhurojë për bamirësi.

Kampion i solidaritetit

Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja franceze “l’Equipe”, duke shpjeguar se paratë do t’i shkojnë organizatës “Premiers de Cordee”, e cila do t’i ndihmojë fëmijët e paaftë dhe të sëmurë me programe sportive.

Premitë e ndeshjeve

Për çdo ndeshje me Kombëtaren futbollistët francezë i kanë marrë nga 20 mijë euro, një shumë kjo të cilën talenti 19 vjeç i PSG-së kishte vendosur ta dhuronte për bamirësi qysh para fillimit të Botërorit të Rusisë.

Bonuset e fitoreve

Në total për çdo ndeshje është arritur premia prej 300 mijë eurosh, e vendosur nga Federata Franceze e Futbollit që t’i jepet çdo futbollisti në rast të triumfit në Botëror.

Fitime të bollshme

Inkasimi total i yllit francez gjatë këtij Botërori ka shkuar në 430 mijë euro.

Çdo premtim është borxh

Të gjitha paratë Mbappé do t’i kalojë në asociacion, sepse, siç ka thënë edhe para “Rusia 2018”, nuk beson se është e drejtë që një lojtar të marrë kompensim për ta përfaqësuar vendin e tij.

“Faleminderit”

Presidenti i “Premiers de Cordee” përmes një interviste të dhënë për të përditshmen e njohur franceze “Le Parisien” e ka përsëritur mirënjohjen e kësaj organizate për yllin francez. “Është një person i madh, i shkëlqyeshëm. E di sesi duhet të sillemi me fëmijët dhe i gjen gjithmonë fjalët e duhura për t’i inkurajuar. Ndonjëherë mendoj se më shumë ka dëshirë dhe kënaqet ai kur luan me fëmijët sesa e kundërta”, ka thënë ai.

Lojtari më i mirë i ri

Mbappé është zgjedhur futbollisti më i ri i Botërorit 2018 nga FIFA. Ai u bë futbollisti i dytë më i ri në histori të Botërorit që shënon gol në finale, pas legjendës Pele, i cili kishte shënuar në finale të Botërorit si 17-vjeçar.

Si mbreti Pele

Vetë Pele përmes një mesazhi në “Twitter” e ka uruar futbollistin e ri francez, duke ia dhënë mirëseardhjen në klubin e U-20 që ka shënuar në finale. “Është e bukur ta kem në kompani”, ka thënë legjenda braziliane, i cili nuk është ndalur me kaq. “Nëse Mbappé do të vazhdojë t’i barazojë rekordet e mia mund t’ia jap përsëri këpucët e mia sportive”.

E nderon Pelen

E menjëhershme ka qenë përgjigja e futbollistit të lindur në vitin 1998, kur Franca e kishte fituar Botërorin për herë të parë në histori. “Mbreti mbetet gjithmonë mbret”, ka shkruar Mbappe. /Zëri/