Drita, në Suedi për të mos u koritur

Sport July 17, 2018 - 16:35

Drita e ka marrë rrugën drejt Suedisë, ku sonte do të përballet me Malmon në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Gjilanasit janë të vetëdijshëm që përmbysja e rezultatit nga ndeshja e parë (0:3) do të jetë e pamundur. Por, ata shkojnë në vendin skandinav për të bërë lojë të mirë dhe për të mos u koritur

Drita ka udhëtuar drejt Suedisë, ku sonte do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjilanasit e kanë humbur ndeshjen e parë javën e kaluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë me rezultat 0:3 dhe me këtë rast kualifikimi për në fazën e dytë duket mision thuajse i pamundur për ta.

Sidoqoftë, kampioni kosovar ka shkuar në shtetin skandinav me synim që të bëjë paraqitje pozitive dhe të mos koritet.

Isufi: S’do të bëjmë ndryshime, duam ta bëjmë lojën tonë

Trajneri i Dritës Bekim Isufi ka thënë se eksperienca e Malmos e ka bërë të veten në ndeshjen e parë edhe pse skuadra e tij nuk ishte shumë më e dobët.

Sidoqoftë, ai është pajtuar me fatin dhe është i vetëdijshëm se për ekipin e tij kualifikimi në fazën tjetër është mision i vështirë për t’u arritur.

“E kemi ditur që kur e humbim topin këto ekipe të ndëshkojnë. Në përgjithësi mund të them se në ndeshjen e parë ka pasur ndonjë dallim të madh në mes të ekipit të Dritës dhe atij të Malmos”, është shprehur trajneri gjilanas për lojën e parë.

“Ne nuk kemi ndryshuar dhe nuk do të ndryshojmë as në lojën e kthimit të martën, pavarësisht rezultatit. Edhe ndeshjes së kthimit duhet t’i qasemi në atë mënyrë që jemi mësuar. Jo të shkojmë ta përmbysim rezultatin, pasi kjo do të jetë e vështirë. Nuk diskutohet që do të hasim në vështirësi edhe më të mëdha në ndeshjen e dytë. Koncentrimi e bën të veten në ndeshjet e këtij niveli”, përfundoi Isufi.

Ndërkohë, kapiteni Ardian Limani nuk e ka konsideruar si tragjike humbjen 0:3, pasi thotë se kjo disfatë arriti nga një klub i njohur evropian.

Ndërkohë, qendërmbrojtësi kosovar, njëjtë si trajneri i tij, pret që ekipi të bëjë paraqitje pozitive në Suedi për t’i kënaqur tifozët që do të jenë prezentë në stadium e prej tyre pritet të ketë edhe shumë shqiptarë që jetojnë në Malmo, por edhe në qytetet të tjera suedeze.

Drita e kishte kaluar rrethin parakualifikues pasi e kishte fituar grupin prej katër skuadrash. Fituesi i këtij dueli do të luajë në rrethin e dytë me ekipin CFR Cluj.

Kurse humbësi do të ketë punë në rrethin e dytë kualifikues të Europa Leagues ndaj F91 Dudelange ose Videoton.

Ndeshja ndërmjet Malmos dhe Dritës do të zhvillohet sonte, duke filluar nga ora 19:00. /Zëri/

Liga e Kampionëve

Rrethi i parë kualifikues

19:00 Malmo – Drita (3:0)

*Në kllapa, rezultati i ndeshjes së parë