Shkëndija vendoset në Uells për ndeshjen e kthimit në Champions (VIDEO)

Sport July 15, 2018 - 21:34

Shkëndija prej sot gjendet në Osuestry të Uellsit ku të martën nga ora 20:00 (koha lokale në Britani) zhvillon ndeshjen e kthimit të xhiros së parë të Champions League kundër The New Saints.

Ekspedita kuqezi mëngjesin e të dielës ka udhëtuar drejt Uellsit për revanshin e raundit të parë eliminator të Champions League. Me fluturim nga Selaniku drejt Mançesterit, kuqezinjtë pasdite kanë mbërritur në vendin Osuestry të Uellsit ku të martën luajnë takimin e dytë me kampionin e këtij vendi, The New Saints. Ekipi është i kompletuar dhe mungesa e vetme është Besmir Bojku i lënduar gjatë fazës përgatitore në Slloveni. Futbollistët tjerë janë në dispozicion të stafit teknik dhe pas seancës së nesërme stërvitore (e hënë ora 19:00) trajneri Osmani pritet të vendosë për formacionin me të cilin do të nisë takimin e kthimit me The New Saints ndaj të cilëve kuqezinjtë bartin epërsi 5:0 nga ndeshja e parë. Paraprakisht në orën 18:30 para mediave do të paraqiten trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi.

Takimi The New Saints-Shkëndija luhet të martën në “Park Hall Stadium” në Osuestry të Uellsit me fillim në orën 20:00 sipas kohës lokale në Britani të Madhe (ora 19:00 me kohën në Maqedoni e Kosovë). /Zëri/