FC Prishtina po kërkon autoritet në Evropë

Sport July 13, 2018 - 12:15
Detajet

FC Prishtina po merr pjesë për herë të dytë në garat e Ligës së Evropës. Dhe, brenda një viti kalendarik Bardhekaltrit janë në kërkim të ambientimit në garat e organizuara nga UEFA. Derisa në verën e kaluar në debutim ishte eliminuar nga kundërshtari i parë, gjiganti suedez Norrkopingu, sivjet prishtinasit po paraqiten shumë më mirë. Të enjten në Mitrovicë Armend Dallkun me shokë i pret ndeshja vendimtare me Fola Esch. Bardhekaltrit ndiejnë nevojë të madhe për përkrahje nga shikuesit në mënyrë që ta eliminojnë kundërshtarin e dytë evropian dhe të mbërrijnë te klubi i njohur belg, Genku i Edon Zhegrovës, shkruan sot, gazeta "Zëri"

FC Prishtina shumë shpejt ka filluar të ambientohet në UEFA dhe t’u përshtatet garave evropiane. Klubi më me nam në futbollin kosovar brenda një viti kalendarik po merr pjesë për herë të dytë në kualifikimet për Ligën e Evropës. Në verën e kaluar, kur dy klube kosovare debutuan për herë të parë në Evropë pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA, FC Prishtina ishte eliminuar nga gjiganti suedez Norrkopingu me rezultat të përgjithshëm 6:0, nga dy ndeshje të zhvilluara. Eksperienca dhe cilësia e hatashme e ekipit suedez dhe papërvoja e FC Prishtinës ishin faktorët e atij rezultati përfundimtar. Por, vetëm një vit më vonë Bardhekaltrit kanë filluar të japin shenja shpresëdhënëse në garat e UEFA-s. Prishtinasit sivjet po e përfaqësojnë mirë veten, por edhe vendin tonë. Fillimisht luajtën në parakualifikime, ku e eliminuan FC Europën me një barazim prej 1:1 në Gjibraltar dhe pastaj me një fitore prej 5:0 në Mitrovicë. Ndërkohë, Bardhekaltrit tani janë në rrugë të mirë që t’ia sjellin suksesin më të madh futbollit kosovar në garat e UEFA-s. Ata janë afër të kalojnë në rundin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Evropës, ku i pret ekipi i njohur belg Genku, për të cilin luan ish-futbollisti i Prishtinës dhe reprezentuesi kosovar Edon Zhegrova.   

Kjo pasi prishtinasit të mërkurën arritën ta nxjerrin një barazim 0:0 në Luksemburg si mysafirë të Fola Esch. Kështu, ekipin e Armend Dallkut të enjten e pret sfida vendimtare, kur në Mitrovicë do ta zhvillojë takimin kthyes ndaj ekipit nga Luksemburgu. Prishtinasve u nevojitet fitorja për ta kaluar rrethin e parë kualifikues, për çka presin përkrahje të madhe nga “Plisat”, por edhe nga i gjithë publiku kosovar, sepse çdo rezultat pozitiv i FC Prishtinës në Evropë i kontribuon një të ardhmeje më të mirë të futbollit kosovar në garat e UEFA-s. Duke e ditur se FC Prishtinës i duhet vetëm fitorja, ndërsa kundërshtarit i konvenon edhe çfarëdo barazimi me gola, Mirel Josa e konsideron sfidë problematike për ekipin e tij ndeshjen e së enjtes. Andaj, trajneri i prishtinasve kërkon përqendrim maksimal nga futbollistët e tij me shpresën që tifozët ta luajnë rolin e një futbollisti më shumë për ekipin që e drejton. Në anën tjetër, portieri Visar Bekaj shpreson të shpëtojë pa pësuar gol edhe në Mitrovicë, ndërsa FC Prishtina ta godasë portën e kundërshtarit dhe të ecën më tutje në Evropë. “Shpresoj se në Mitrovicë do të kalojmë rundin e parë kualifikues, sepse na duhet fitorja gjithqysh”, ka thënë Bekaj.

Ndërkohë, mesfushori i vyeshëm i FC Prishtinës Gauthier Mankenda thekson se barazimi pa gola në Luksemburg është rezultat shpresëdhënës për ekipin e tij, që përmes takimit kthyes ta sigurojë kualifikimin e mëtutjeshëm. “Është e rëndësishme që arritëm rezultat pozitiv dhe besoj se për ndeshjen kthyese mund të bëjmë gjëra edhe më të mira, sepse mendoj se mund të fitojmë. Por, së pari me punën me trajnerin duhet përmirësuar ato gjëra, që ndoshta nuk shkuan sot mirë, sepse ne kishim rast edhe sot të mbyllim ndeshjen, por në Mitrovicë do të jetë edhe më mirë sesa në Luksemburg”, është shprehur Mankenda.

Mt: Të enjten krejt Prishtina në Mitrovicë  

Shtatë ditë para ndeshjes kthyese ndërmjet FC Prishtinës dhe Fola Esch, përcaktuese për kalim në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, tifozët prishtinas kanë nisur të përgatiten për të shkuar në numër të madh në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. “Plisat” dje ua bënë me dije të gjithë prishtinasve rëndësinë e ndeshjes së të enjtes për ekipin e tyre të zemrës, duke i ftuar të jenë prezentë në stadiumin olimpik për ta përkrahur ekipin Bardhekaltër në sfidën e madhe evropiane. Ata kanë paralajmëruar se do të organizojnë udhëtim edhe me autobusë nga kryeqyteti drejt Mitrovicës./Zëri