Emini: I lumtur që e shënova golin e parë të Shkëndijës në Champions (VIDEO)

Sport July 12, 2018 - 12:24

Një ditë pas ndeshjes së parë të raundit të parë eliminator të Champions League kundër The New Saints, kuqezinjtë ende janë nën emocionet e triumfit bindës ndaj kampionit të Uellsit.

Fitorja e 10-të evropiane ishte në fakt triumfi i parë në një ndeshje të kualifikimeve të Champions League, fitorja më bindëse në Evropë, ndërsa realizimi i Izair Eminit në minutën e 14-të do të mbahet mend si goli i parë i Shkëndijës në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube.

Mesfushori me tipare sulmuese mbrëmë ishte ndër më të mirët në terren bashkë me autorin e katër golave Ibraimin, ndërsa përveç golit, Izo kishte edhe dy asiste që u realizuan nga Ibra.

Emini në një intervistë për kanalin e klubit ka folur për takimin e mbrëmshëm, ndjenjën për të qenë golashënuesi i parë i klubit në Champions, pritjet për ndeshjen e kthimit në Uells dhe shanset e kuqezinjve në raundin e dytë. /Zëri/