Prishtina beson!

Sport July 11, 2018 - 15:27

FC Prishtina do t’i hyjë me optimizëm ndeshjes së sontme ndaj ekipit CS Fola Esch, e vlefshme për rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit kanë mbërritur të hënën në Luksemburg, ku do të zhvillohet kjo ndeshje, ndërsa të martën pasdite e kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së parë që do ta zhvillojë ndaj CS Fola Esch.

Prishtinasit të hënën në mëngjes u pajisën me viza në Ambasadën Zvicerane për një kohë rekorde, ndërsa më pas të qetë e morën rrugën drejt Luksemburgut

Dallku: S’duhet të pësojmë gol

Kapiteni Armend Dallku tha se ekipi i tij ka shkuar në Luksemburg i përqendruar në lojën që po e pret e jo në aspekte të tjera, siç janë proceduar për t’u pajisur me viza.

Mbrojtësi vushtrrias më tutje shtoi se FC Prishtina ka shkuar në Luksemburg për ta nxjerrë një rezultat sa më pozitiv, në mënyrë që ta kërkojë kualifikimin në garat e mëtutjeshme përmes ndeshjes kthyese, që do ta zhvillojë pas një jave në Mitrovicë.

“Shpresojmë të shkojmë ta bëjmë një ndeshje të mirë. Dihet rezultati që na konvenon ne atje. Po shpresojmë që, njëjtë si kundërshtarin e parë, ta kalojmë edhe këtë rreth”, ka thënë kapiteni i prishtinasve për “Zërin”.

“Goli në fushën kundërshtare është shumë i rëndësishëm, por me rëndësi është që të mos pësojmë gol. Edhe një rezultat 0:0 për ne do të ishte i favorshëm. Dihet se në fushën tonë po paraqitemi mjaft mirë. Mirëpo, unë shpresoj që këtë ndeshje ta bëjmë më ndryshe se ndeshjen e parë në Gjibraltar, pasi atje kishim probleme me udhëtimin. Shpresojmë të mos pësojmë gol dhe pastaj në ndeshjen e kthimit t’i tregojmë vlerat tona”, përfundoi Dallku.

Optimistë për kalimin e rrethit të parë kualifikues janë shprehur edhe dy futbollistët e tjerë të prishtinasve, Ahmed Jonuzi dhe Arango Jamal.

Ata kanë thënë se Bardhekaltrit duhet ta përsërisin ndeshjen e kthimit që e bënë ndaj FC Europas për ta vazhduar shkuarjen e historisë, duke kërkuar përqendrim dhe maksimumin në dy takimet me ekipin nga Luksemburgu.

Ndeshja CS Fola Esch – FC Prishtina i përket xhiros së parë kualifikuese për Ligën e Evropës.

Takimi kthyes do të zhvillohet pas një jave në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, kur edhe do të dihet ekipi i kualifikuar në rundin e dytë.

Prishtina e ka siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e Europa Leagues pasi në parakualifikime e ka eliminuar ekipin FC Europën nga Gjibraltari me rezultat të përgjithshëm 6:1 nga dy ndeshje të zhvilluara.

Ndeshja e së mërkurës ndërmjet Folas dhe Prishtinës do të fillojë në orën 18:00.

Europa League

Rrethi i parë kualifikues

E mërkurë

18:00 CS Fola Esch – FC Prishtina