Champions League: Fitore e madhe e Shkëndijës, një hap drejt rrethit të dytë

Sport July 10, 2018 - 22:05

Shkëndija e ka regjistruar një fitore të thellë në rikthimin e saj në Ligën e Kampionëve, në kuadër të rrethit të parë kualifikues, shkruan Zeri.info.

Kuqezinjtë e kanë mposhtur sonte ekipin uellsian, The New Saints me rezultat 5:0.

Besart Ibraimi ka qenë hero i tetovarëve me katër gola të shënuara, ndërsa një tjetër e ka shtuar Izair Emini, i cili në fund të takimit e qëlloi edhe shtyllën.

Duhet cekur se gjatë festës së Ballistëve tek goli i parë, sigurimi i stadiumit ndërhyri, e më pas edhe policia speciale maqedonase dhe u pa një incident, por që gjithçka u qetësua për pak sekonda dhe loja pati rrjedhë normale.

Me këtë rast, Shkëndija e ka bërë një hap gjigant drejt kualifikimit në fazën e dytë kualifikuese, edhe pse një herë duhet ta zhvillojë edhe ndeshjen e kthimit me TNS.

Shkëndija është bërë model dhe po ua zbardh fytyrën krejt shqiptarëve anembanë botës. /Zëri/