Përfundon me sukses shpëtimi i futbollistëve të rinj të ngujuar në shpellë

Sport July 10, 2018 - 14:14

Përpjekjet e mëdha për të shpëtuar 12 fëmijët dhe trajnerin e tyre të bllokuar në një shpellë në Tajlandë, kanë qenë të suksesshme, pasi pas dy javë qëndrimi të ngujuar, janë nxjerrë që të gjithë, transmeton "Zeri.info".

Një ekip i përbërë nga zhytësit dhe punëtorët e emergjencës, dy ditët e fundit kanë punuar pandërprerë për të siguruar që këta fëmijë futbollistë dhe trajneri i tyre të nxirren sa më shpejtë nga shpella, pasi jeta e tyre po rrezikohej gjithnjë e më shumë për shkak të rritjes së nivelit të ujit pas të reshurave të vazhdueshme.

Dhe sot është bërë e ditur se katër fëmijët e fundit dhe trajneri i tyre, janë nxjerrë nga aty.

Ishin 19 zhytës të cilët kanë marrë pjesë në operacionin e sotëm, pasi donin që t’i nxirrnin të gjithë përnjëherë.

Përveç dy fëmijëve që kishin infeksion të lukthit, të gjithë të tjerët janë shëndosh e mirë dhe u janë bashkuar familjeve të tyre. /ZERI/