Synimi i sontëm i Shkëndijës në Champions: Fitore pa pësuar gol!

Sport July 10, 2018 - 12:35

Shkëndija do ta nisë sonte eksperiencën e re në Ligën e Kampioneve pasi bëri paraqitje brilante në sezonet e fundit në Europa League.

Kuqezinjtë do të përballen me ekipin nga Uellsi, The New Saints, në kuadër të xhiros së parë eliminatore të Championsit, shkruan sot gazeta Zëri.

Synim i tetovarëve është që në ndeshjen e sontme, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup, të shënojnë fitore pa pësuar gol, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit pas një jave të jenë më të qetë dhe ta sigurojnë kualifikimin në rrethin e dytë të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit evropian.

“Rezultatet që i kemi bërë gjatë fazës përgatitore na japin shpresë se Shkëndija është e gatshme për këtë ndeshje. Sigurisht se nuk do të jetë e lehtë përballë një kundërshtari që luan rregullisht në Evropë dhe ka përvojë të ndeshjeve të këtilla. Gabim është që na shikojnë si favoritë, pasi edhe në vetë hedhjen e shortit ne ishim në vazon e jofavoritëve”, deklaroi në konferencë për shtyp trajneri Qatip Osmani.

“E kemi analizuar kundërshtarin, nuk e di si do të luajnë nesër (të martën), por në raste të caktuara mbyllen shumë në zonën e tyre. Prandaj ne këtë ndeshje e marrim me seriozitet maksimal dhe do të dalim në fushë për ta dhënë më të mirën në kërkim të rezultatit pozitiv, që do të jetë fitorja. Me rëndësi është të shënojmë dhe të mos pranojmë gol, megjithëse do të donim të fitojmë sa më bindshëm që mundemi”, përfundoi Osmani.

Edhe kapiteni Armend Alimi shpreson në një paraqitje pozitive të Shkëndijës në Champions dhe kalimin e kësaj faze, që do të ishte një e arritur e madhe për këtë klub.

“Mendoj se na pret ndeshje e vështirë, por ne e kemi zhvilluar fazën përgatitore shumë cilësore në Slloveni. Mendoj se me ndeshjet që kemi zhvilluar në Slloveni e kemi arritur formën maksimale dhe jemi të motivuar të hyjmë sa më mirë në këtë ndeshje. Duam fitore pa gol të pranuar”, u shpreh Alimi në konferencë për shtyp.

Kuqezinjtë kanë stërvitur mbrëmë në Shkup, ndërsa janë të gatshëm për duelin e sontëm, i cili do të fillojë në orën 20:15.

Ata janë gati për pjesëmarrjen e dytë në histori të tyre në eliminatoret e Champions Leagues. /Zëri/

Liga e Kampionëve

Rrethi i parë kualifikues

E martë

20:15 Shkëndija – The New Saints