FFK me kryetar të ri: Zbulohet e ardhmja e trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes!

Sport July 09, 2018 - 14:12

Përzgjedhësi i Kosovës i emëruar në këtë postë nga ish presidenti tashmë i ndjerë, Fadil Vokrri, Bernard Challandes të hënën e ka takuar Agim Ademin, i cili veç sa e ka marrë postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Me këtë rast, Ademi i ka konfirmuar trajnerit zviceran vazhdimin e mbështetjes së FFK-së edhe nën drejtimin e tij, shkruan Zeri.info.

“FFK-ja është shumë e interesuar për një Kombëtare të fortë e konkurruese dhe jo të jetë vetëm pjesëmarrëse në evenimentet evropiane e botërore”, citohet t’i ketë thënë Ademi Challandesit në një njoftim të FFK-së.

Në anën tjetër, Challandes e cili e ka nisur me tri fitore punën në përfaqësuese përmes tri miqësoreve e ka njoftuar Ademin me planin e tij për ekipin përfaqësues të cilin ia kishte bërë të ditur edhe ish kryetarit, Vokrri.

“Përzgjedhësi Challandes, duke uruar presidentin Ademi për marrjen e detyrës, shpalosi edhe njëherë plan-programin zhvillimor të Kombëtares A, me theks të veçantë për ndeshjet kualifikuese për ‘Euro 2020’, që fillojnë në shtator të këtij viti”, thekson FFK. /Zëri/