'Zgjedhje' në një opsion të vetëm për të zgjedhur!

Sport July 06, 2018 - 11:22

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) njofton se i ka bërë të gjitha përgatitjet për Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor, i cili do të mbahet sot, shkruan sot gazeta Zëri.

Nënkryetari aktual Agim Ademi është kandidati i vetëm për ta pasuar të ndjerin Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë më pak se një muaj më parë.

Ademi, i cili ishte zëvendës i Vokrrit, është propozuar fillimisht nga Lidhja Rajonale e Prizrenit dhe ajo e Gjilanit e më pas e ka marrë mbështetjen edhe nga lidhjet e tjera rajonale të Kosovës për të kandiduar për të parin e Federatës.

Dhe, këto zgjedhje të përshpejtuara të premten do të mbahen vetëm sa për t’ia bërë adetin, pasi kryetari i ri tashmë dihet.

Krejt ky proces po kryhet me dyshime të forta edhe për shkelje statusore, për mungesë të transparencës dhe për mbylljen e mundësisë për të pasur më shumë kandidatë për kryetar, duke mos lënë nënshkrime të nevojshme në dispozicion për t’u kandiduar kandidatë të tjerë të mundshëm, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën në këtë institucion.

Agim Ademi pritet t’i prijë institucionit më të lartë të futbollit kosovar në dy vjetët e ardhshëm, respektivisht deri në pjesën e dytë të vitit 2020, kur edhe do të mbahen zgjedhjet në të gjitha federatat sportive kosovare për ciklin olimpik 2020/24.

FFK-ja kishte njoftuar se arsyeja e mbajtjes kaq shpejt të zgjedhjeve ishte rekomandimi që kishte marrë shtëpia e futbollit kosovar nga UEFA dhe FIFA, ndërsa kjo periudhë ka shkuar në heshtje totale “shpëtim” për drejtuesit e FFK-së ka qenë edhe Kampionati Botëror, ku ka qenë fokusi kryesor i futbolldashësve.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i FFK-së do të mbahet sot në “Hotel Emerald”, duke filluar nga ora 17:00.

Pika e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të ri të FFK-së.

Që prej vdekjes së Vokrrit Ademi e ka marrë bajraktarin si nënkryetar, duke e drejtuar FFK-në në aktivitete të ndryshme në javët e fundit.

Por, FFK-ja gjatë kësaj kohe është përballur me akuza për skandale. /Zëri/