FC Prishtina, gati për Europën

Sport July 04, 2018 - 11:35

FC Prishtina është duke i bërë përgatitjet e fundit para ndeshjes më të rëndësishme të këtij viti që do ta zhvillojë të enjten në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit e nxorën një barazim në duelin e parë të fazës parakualifikuese të Europa Leagues të enjten e kaluar në Gjibraltar, ndërsa tash synojnë fitore në “shtëpi” ndaj ekipit Europa FC.

Motivi te klubi më i madh kosovar është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe futbollistët bardhekaltër llogarisin edhe në mbështetjen e tifozëve, jo vetëm të “Plisave”, por nga mbarë Kosova, në arritjen e synimit – kalimin në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues.

Njëherësh këtij suksesi do të mundë t’i gëzoheshin edhe klubet tjera pasi vitin tjetër falë suksesit të Dritës dhe të Prishtinës futbolli kosovar mund të përfaqësohet në garat evropiane me tri ekipe.

Presin fitore

Trajneri Mirel Josa është ndarë i kënaqur me rezultatin e ndeshjes së parë në Gjibraltar, mirëpo ai kërkon nga ekipi të reagojë dhe të luajë edhe më mirë në ndeshjen e kthimit nesër mbrëma.

“Me rezultatin e lojës së parë në përgjithësi jam i kënaqur, por me lojën duhej të kishim qenë më kualitativë. Kështu që ne duhet të shohim njëherë ta përfundojmë këtë ndeshje duke e ngritur gjendjen tonë fizike për ndeshjen e kthimit dhe gjithashtu duke i bërë hyzmet kualifikimit dhe pastaj të shohim për lojërat tjera”, ka theksuar trajneri shqiptar.

Kurse Meriton Korenica ka qenë hero i prishtinasve në lojën e parë duke e shënuar golin e barazimit nga gjuajtja e lirë, i cili e lë në lojë ekipin e tij për të depërtuar në rrethin tjetër.

Futbollisti i ri i kryeqytetasve beson se ekipi i tij do të shkojë tutje. “Në përgjithësi mendoj se gjithçka ka shkuar mirë në lojën e parë. Rezultati që e nxorëm atje na konvenon për ndeshjen kthyese në Kosovë. Në përgjithësi besoj se kaluam mirë dhe besoj shumë që do ta kalojmë rundin”, deklaroi Korenica.

Dueli ndërmjet FC Prishtinës dhe Europa FC do të zhvillohet të enjten mbrëma, duke filluar në orën 19:00.

Nëse FC Prishtina e kalon ekipin e Gjibraltarit, atëherë në ndeshjen e parë kualifikuese për Europa League do të takohet me ekipin e fortë, CS Fola Esch nga Luksemburgu.

Koha për Evropë

“Koha për Evropë – Krejt Prishtina n’Mitrovicë. E rëndësishme është veç kalimi i rundit. Kualifikimi në Europa League është historik. Së bashku ta ndihmojmë klubin – së bashku ta gëzojmë suksesin dhe historinë së bashku ta bëjmë”.

Kështu kanë shkruar tifozët prishtinas “Plisat”, të cilët kanë bërë të ditur se do të grumbullohen në orën 15:00, të enjten në sheshin “Zahir Pajaziti”, te “Fan Clubi” dhe se nisja për në Mitrovicë do të jetë në orën 17:00.

Agjenda e Prishtinës dhe e Europës

FC Prishtina do ta mbajë sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së nesërme. Kryeqytetasit do të stërvitin nga ora 17:30 deri në 18:30, ndërsa më pas do ta mbajnë konferencën për shtyp në 18:30-18:45.

Kurse sa u përket mysafirëve, ata do ta mbajnë konferencën për shtyp në orën 18:45 deri në orën 19:00, ndërsa do të stërvitin më pas nga ora 19:00 deri në orën 20:00.

Stërvitjet dhe konferencat për shtyp do të mbahen në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. /Zëri/