Napoli cakton çmimin për shitjen e Hysajt

Sport June 29, 2018 - 14:39
Detajet

E ardhmja e Elseid Hysajt vazhdon të mbetet një dilemë e madhe.

Emri i mbrojtësit shkodran po përmendet gjithnjë e më shumë në ambientet e Chelsea-t, teksa në krahun tjetër Napoli duket se po bën rezistencë për të mos humbur shërbimet e shqiptarit, madje vlerat e Hysajt  janë aq të mëdha për klubin jugor sa presidenti De Laurentiis është gati t’i ofrojë një kontratë të re 24-vjeçarit.

Sidoqoftë, përtej këtyre raportimeve që vijnë nga mediat ndërkombëtare, mësohet se blutë e Londrës nuk e kanë fokusuar interesin e tyre thjesht në fjalë, por në fakte konkrete. Duke qenë se Hysaj është në krye të listës së dëshirave të teknikut të ardhshëm te klubit londinez, Maurizio Sarri, në dyert e Napolit është paraqitur një ofertë që kap shumën e 42 milionë eurove, transmeton “SS”.

Oferta financiare është konsideruar si tepër e ulët nga ana e klubit jugor, duke i dhënë një sinjal të qartë Chelsea-t se për Hysajn nevojiten shumë më tepër, madje duke vendosur  edhe një shifër fikse  60 milionë euro, në mënyrë që mbrojtësi kuqezi të lihet i lirë.