Erolld Belegu për vdekjen e basketbollistit: Ah bre Gazi

Sport June 23, 2018 - 09:39
Lexo detajet

Ish kryetari i FBK'së, Erolld Belegu, ka ngushëlluar familjen e Gazmend Sinanit, basketbollistit që ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës nga një aksident trafiku.

Shkrimi i tij i plotë:

Ah bre Gazi!
Ngushellime familjes Sinani!
Ndërron jetë reprezentuesi i Kosovës, Gazmend Sinani 
23 qershor 2018
Federata e Basketbollit e Kosovës me pikëllim të thellë njofton opinionin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Në një aksident rrugor që ka ndodhur në Gjakovë, ka humbur jetën reprezentuesi i Kosovës, Gazmend Sinani.
Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala.
Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme.
Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.
Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.
Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.
Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.
Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.
Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit.