Fundjava me ‘Drag Race’

Sport June 22, 2018 - 16:03

Gjatë dy ditëve të fundjavës në pistën e vjetër të Aeroportit në Sllatinë do të mbahet gara e dytë ‘Drag Race’ për këtë vit, e organizuar nga Federata e Auto Sportit e Kosovës.

Kjo disiplinë po bëhet gjithnjë e më atraktive për dashamirët e automobilizmit në Kosovë, prandaj edhe këtë herë numër i madh i pjesëmarrësve, ashtu sikur edhe i shikuesve që do ta përcjellin garën.

Nesër deri në orën 10:00 do të bëhet paraqitja për garë, ndërsa pas pajisjes me numra dhe verifikimit të dokumentacionit, në orën 12:00 pritet të fillojnë vozitjet e lira, kurse prej orës 13:00 ato kualifikuese.

Të dielën në orën 11:00 mbahet brifingu me garues, në 12:00 fillon zyrtarisht gara, ndërsa 30 minuta pas përfundimit të saj bëhet publikimi i rezultateve.

Garat do të zhvillohen në tri kategori: makinat që tërheqin me rrota të përparme (FWD), makinat që tërheqin me rrota të pasme (RWD) dhe ato që tërheqin me katër rrota (AWD).

Federatës së Auto Sportit të Kosovës do t’i asistojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve. /Zëri/