Mos u fshihni pas emrit të Fadil Vokrrit!

Sport June 21, 2018 - 10:13

I madh e i vogël në vendin tonë u solidarizua me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) në ditën e zezë kur mbeti pa kryetarin tashmë të ndjerë Fadil Vokrrin. Mirëpo ende pa u kryer e pamja për kryetarin e ndjerë, FFK-ja nisi ta befasojë për të keq opinionin e gjerë. Pas vdekjes së Vokrrit shtëpia e futbollit ka nisur të përballet me kritika të njëpasnjëshme dhe të ashpra për veprime të pamatura, por edhe për nepotizëm. Drejtuesit e saj po kritikohen edhe për faktin se kanë filluar ta përdorin emrin e Fadil Vokrrit në situatat e palakueshme në të cilat kanë rënë. Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se drejtuesit e rinj të FFK-së do të kenë përgjegjësi të madhe publike dhe nuk do të mundë të fshihen pas emrit të Vokrrit të ndjerë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vdekja e Fadil Vokrrit më 9 qershor e trazoi gjithë Kosovën dhe popullin e saj. Presidenca shpalli ditë zie duke e zbritur në gjysmështizë edhe flamurin shtetëror.

Ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po atë ditë e pati lëshuar një komunikatë përmes së cilës njoftonte se i ka pushuar të gjitha aktivitetet për shkak se ishte tronditur nga vdekja e papritur e kryetarit të saj. Mirëpo, në ndërkohë rezultoi se dikush po punonte fort. Natyrisht, fshehurazi. Këtë e konfirmon fakti se dikush tashmë i kishte filluar përgatitjet për ta ftuar Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të FFK-së.

Ende pa u kryer e pamja për ish-futbollistin, i cili e ka marrë epitetin e një legjende, në medie dolën dokumentet me nënshkrime përmes të cilave Lidhja Rajonale e Futbollit të Prizrenit (LRFP) dhe Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit (LRFGJ) po kërkonin kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor.

Për më tepër, ato e kishin gjetur në kohë rekorde edhe kandidatin për ta zëvendësuar Vokrrin në postin e kryetarit. E kishin propozuar nënkryetarin aktual Agim Ademin. Për këtë nguti opinioni i tronditur nga vdekja e Vokrrit nuk i la pa i kritikuar ashpër udhëheqësit e futbollit, sidomos me komentet online.

Pavarësisht këtij reagimi të opinionit, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e bëri të veten kur 6 korrikun e shpalli ditë të zgjedhjeve në FFK, me arsyetimin se kjo është sugjeruar nga UEFA e nga FIFA.

Nuk vonoi shumë dhe FFK-ja sërish u bë adresë e kritikave të ashpra. Fillimisht për logon e re, të cilën e kishte punuar dhëndëri i drejtoreshës së marketingut në FFK, Diturie Hoxhës, shkruan më tutje "Zëri".

Kjo e fundit kishte thënë se një komision i pavarur e ka bërë përzgjedhjen e logos fituese nga ato konkurruese. Kurse nënkryetari Agim Ademi në këtë temë e përfshiu kryetarin e ndjerë Fadil Vokrrin. Ai tha se komisioni i ka dërguar në Komitet Ekzekutiv tri-katër propozime, ndërsa Vokrri e ka zgjedhur logon, e cila nuk po pëlqehet në vendin tonë. FFK-ja në ditët e para të punës pa kryetarin e ndjerë u akuzua edhe për nepotizëm.

Shkak u bë ceremonia e prezantimit të fanellave të reja të Kosovës, në të cilën fanella u është dorëzuar familjarëve të Vokrrit, dy reprezentuesve kosovarë, sportistes së njohur Getta Beqës, por edhe këngëtarit “Capital T” – djalit të nënkryetarit Ademi, i cili shihet edhe si favorit për ta marrë postin që deri më 9 qershor e mbajti Vokrri.

Muhaxhiri: Askush të mos fshihet pas emrit të Fadil Vokrrit, keni përgjegjësi publike

Sociologu Artan Muhaxhiri, i cili përpos rrethanave politike, ekonomike, sociale, etj., i njeh mjaft mirë edhe zhvillimet dhe funksionimin e sportit kosovar,  thotë se njerëzit që do ta qeverisin futbollin kosovar pas vdekjes së kryetarit të deritanishëm nuk duhet të fshihen prapa emrit të Fadil Vokrrit.

Image

“Prej tash fillon një etapë e re në institucionin më të lartë të futbollit kosovar, prandaj individët që kanë ambicie për ta udhëhequr atë duhet të marrin përsipër obligime të mëdha konceptuale, programore e logjistike, për të cilat do t’u kërkohet përgjegjësi publike”, ka deklaruar Muhaxhiri për “Zërin”.

“Fadil Vokrri ka lënë trashëgimi tejet të vlefshme futbollistike, e cila nuk do të mundë të përdoret si mburojë për dështimet eventuale të pasuesve të tij. Zhvillimet në futbollin bashkëkohor ndërkombëtar janë aq dinamike, saqë do të jetë krejtësisht naive nëse ndokush do të planifikojë që t’i arsyetojë mossukseset konkrete me rrëfime abstrakte melankolike”, ka shtuar sociologu i njohur.

Muhaxhiri rreth situatës aktuale në futbollin kosovar e jep edhe një shpjegim interesant.

“Vdekja e liderëve institucionalë krijon zbrazëti të madhe, e cila mund të tentohet të kompensohet në mënyrë konstruktive ose destruktive. Qasja konstruktive nënkupton të konsideruarit si përgjegjësi morale vazhdimin e rrugës së trasuar nga lideri, kurse ajo destruktive ka të bëjë me fshehjen prapa pozitivitetit të figurës së tij me qëllim të arritjes së përfitimeve meskine”, shtoi ai.

Muhaxhiri: Përdorimi i emrit të Fadil Vokrrit është keqpërdorim i një legjende

Artan Muhaxhiri thotë se kushdo që e përdor emrin e Fadil Vokrrit do të krijojë njolla të turpshme në futbollin kosovar.

“Trashëgimia profesionale e Fadil Vokrrit duhet të mbetet trashëgimi: vlerë simbolike, respekt emocional dhe pjesë e kujtesës kolektive. Çdo tentim i keqpërdorimit të kësaj trashëgimie do të krijojë njolla të turpshme në imazhin e të gjithë atyre që synojnë t’i aplikojnë në realitet idetë e këtilla, sepse këto akte a priori do të konsiderohen si ofendim ndaj kontributit të veçantë të Vokrrit”, tha sociologu me njohuri të mëdha për zhvillimet politike, ekonomike, sociale, kulturore e sportive në Kosovë.

Sociologu: Vetëm ndryshimet e mëdha dhe thelbësore mund t’ia ndalin hovin shkatërrimit

Duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen për kryetar në FFK më 6 korrik, Artan Muhaxhiri bën thirrje për zgjedhje demokratike, pra që të lihet hapësirë për dy ose më shumë kandidatë për kryetar.

Mirëpo duke i ditur rrethanat në të cilat gjendet futbolli dhe në përgjithësi sporti kosovar, sociologu tingëllon me skepticizëm.

“Shumica absolute e federatave kosovare funksionojnë me mënyra klanore, klienteliste dhe pa transparencë elementare. Paradoksalisht, kjo i ka shndërruar federatat në frenueset më të mëdha të zhvillimit kualitativ të kulturës sportive”, kujton Muhaxhiri.

Sipas tij, gjendja e mjerueshme e infrastrukturës dhe mangësitë e panumërta sistemore të cilat janë të pranishme me dekada - për tejkalimin e të cilave nuk brengosen as personat që paguhen për këtë punë dhe kanë beneficione – e paraqesin indikatorin më të mirë të neglizhencës kriminale që e ka kapluar sportin kosovar.

“Pështjellimet e mëdha ligjore, ndërhyrjet partiake për përfitime politike dhe mungesa e plotë e vullnetit institucional për normalizimin e gjendjes kanë bërë që sporti në Kosovë pothuajse plotësisht të udhëhiqet nga struktura antisportive, të cilat as nuk dinë e as nuk duan të mësohen të punojnë për të mirë”, vlerëson ai.

Muhaxhiri bën thirrje për ndryshime të mëdha dhe thelbësore në futbollin kosovar.

“Vetëm ndryshimet e mëdha thelbësore strukturale, të cilat aktualisht duken të pamundura, do të mundë ta ndalnin këtë hov negativ”, shprehet ai.