FC Europa dhe mungesa e stadiumit, sfidat evropiane të FC Prishtinës

Sport June 14, 2018 - 10:19

Po bëhen dy vjet prejse FC Prishtina ka dalë nga stadiumi i kryeqytetit për t’u hapë rrugë punimeve të rinovimit të këtij objekti. Por, procesi i rinovimit të këtij stadiumi assesi ta arrijë fundin. Projekti i realizimit të këtij projekti prej fillimit është menaxhuar për çdo kritikë. Kjo pasi janë kaluar afate pas afateve, ndërsa kryerja e punimeve ende nuk ka ndodhur. FC Prishtina është viktima më e madhe e krejt kësaj situate, por edhe tifozët e saj. Pavarësisht investimeve, mungesa e stadiumit i ka kushtuar FC Prishtinës edhe në rezultate në garat e Kosovës, por i ka kushtuar edhe në buxhet pasi shpenzimet i janë shtuar tej mase. Ndërsa, tifozët janë rraskapitur nga kjo gjendje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Por, më e keqja është se FC Prishtina për të dytin vit rresht me gjasë nuk do të mundë që ndeshjen evropiane, zyrtare të UEFA-s, ta zhvillojë në folenë e vet, para tifozëve të zjarrtë të saj. Bardhekaltrit më 28 qershor do ta zhvillojnë ndeshjen e parë parakualifikuese si mysafire e FC Europa në Gjibraltar. Kurse takimin kthyes duhet ta zhvillojë më 5 korrik.

Në Departamentin e Sporteve në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), e cila edhe e menaxhon projektin e rinovimit të stadiumit, dyshojnë se stadiumi do të mundë të bëhet gati për 5 korrik, ndonëse është ditur moti se në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut dy klube kosovare do të luajnë në Evropë.

“Nuk jemi të sigurt nëse çdo gjë do të jetë gati deri më 5 korrik. Nuk ka mundësi që ndeshja të zhvillohet pa përfunduar pranimi teknik. Sipas kontratës gjithçka duhet të përfundojë gjatë muajit korrik, por nuk e di nëse do të jetë gati për 5 korrik”, ka thënë drejtori Ibër Alaj.

Ndërsa FC Prishtina sikur është mësuar me këtë gjendje. Dëshpërimi me gjendjen infrastrukturore në të cilën funksionon është bërë diçka e zakonshme për këtë skuadër. Por, bardhekaltrit duan t’i mbledhin forcat dhe ta bëjnë më të mirën në UEFA Europa League. Kapiteni Armend Dallku shpreson që ekipi i tij ta kalojë ekipin nga Gjibraltari dhe të shkojë në kualifikime të Europe Leagues. “Qëllimi ynë dihet, është kalimi i turneut, pa dyshim, sepse ne për atë punë tashmë i kemi filluar përgatitjet. Pak me ankth e kemi pritur shortin, por qëllimi ynë - duke filluar nga kryesia e deri te lojtarët - është të fillojmë ta shkruajmë historinë e re të futbollit në Kosovë dhe kjo arrihet vetëm kur të kalojmë runde në garat evropiane”, ka theksuar Dallku.

Ndërkohë, trajneri Mirel Josa qysh tani ka filluar të kërkojë nga futbollistët e tij ta marrin seriozisht kundërshtarin nga një vend inferior në futbollin botëror, Gjibraltari. “Nuk mund të themi që është skuadër nga Gjibraltari dhe do të jetë e lehtë për ne. Ne do të shohim se ku jemi vetë. Duhet se nuk bën të mos rrisim i pretendimet tona pa bazë dhe pa folur fare për pjesën e përgatitjeve tonat për të cilat ne duhet përgatitur mirë, qoftë për ndeshjet me ekipin nga Gjibraltari, qoftë për ndeshjet tjera. Pra, që ne të bëjmë një paraqitje shumë të mirë”, ka potencuar Josa.

Nëse stadiumi i Prishtinës nuk përgatitet deri më 5 korrik ndeshjen ndaj FC Europa bardhekaltrit me gjasë do ta luajnë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Atje FC Prishtina pati luajtur edhe në edicionin e kaluar ndaj Norrkopingut. Në dallim prej FC Prishtinës, Drita do t’i zhvillojë dy ndeshje parakualifikuese për kualifikimet e Ligës së Kampionëve në formë turneu në Gjibraltar.