Përgatiten në Poreq për Lojërat Mesdhetare ‘Tarragona 2018’

Sport June 12, 2018 - 17:11

Ekipi i xhudos me në krye kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, kanë filluar përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.

Edhe pse Kelmendi në Tarragona 2018 do të jetë në cilësinë e trajneres, në Poreq ndodhet edhe komplet ekipi që merr pjesë Lojërat Mesdhetare.

Kampionia evropiane, Nora Gjakova, nënkampionia Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu, janë pesë garuesit e xhudos që do të kërkojnë medalje në Tarragona 2018. Ata po përgatiten bashkë me trajnerin kampion olimpik, Driton Kuka.

Shpenzimet e përgatitjeve të tyre do të mbulohen nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Përgatitjet përfundimtare për Lojëra Mesdhetare sot filluan në Kroaci, Poreç! Kampionia Olimpike tani më ka filluar stërvitjet serioze dhe besoj që në korrik do i bashkohet ekipit drejt Lojërave Olimpike! Pos Majlindës në Poreç po marrin pjesë i gjithë ekipi Olimpik me Kampionen Evropiane Norën e Nënkampionen Evropiane Disin”, ka shkruar në Facebook, trajneri Kuka.

Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 mbahen në Spanjë, prej 22 qershor - 1 korrik 2018. Kosova merr pjesë për herë të parë në Lojërat Mesdhetare, derisa përfaqësohet nga 40 sportistë, 13 trajnerë dhe katër gjyqtarë.