Haradinaj: Vokrri ishte një njeri shpirtëbardhë që i gëzohej lajmeve të mira për vendin

Sport June 10, 2018 - 14:27

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se të gjithë janë prekur nga vdekja e Fadil Vokrrit dhe jo vetëm sportdashësit në të gjithë vendin, raporton lajmi.net.

“Ndarjet nga një sportist i dalluar i kanë dimensionet e veta, dhe normalisht ata të parët që preken janë sportistët, ai që bën përjashtim është Fadil Vokrri, sepse të gjitha u mërzitën për vdekjen e tij”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj po ashtu shtoi se Vokrri ishte një njeri shpirtbardhë, dhe është meritë e tij që Kosova u rikthye në familjen e futbollit botëror.

“Ai ishte një njeri shpirtbardhë që i gëzohej lajmeve të mira për të gjithë. Ai i ka mbijetuar një krenarie të sportit edhe në kohëra më të vështira. Ai u kthye për t’i dhënë përkrahjen sportit dhe në periudhën e re të shtetndërtimit. Falë tij Kosova u kthye në shtëpinë e futbollit. Ndarja si kjo nuk është e lehtë, ju siguroj familja e Vokrrit se nuk jeni të vetëm në dhimbjen tuaj, sepse Fadili ishte i të gjithëve”, përfundoi Haradinaj.

Fadil Vokrri vdiq dje pas një sulmi në zemër.