Liga e dobët i lë pa Evropë

Sport June 08, 2018 - 11:35
Derisa klubet seniore të Kosovës po bëhen gati për pjesëmarrjen e dytë në garat evropiane, këtë fat nuk po e kanë edhe juniorët. Shkaku i nivelit të ulët të futbollit kosovar juniorët e Gjilanit si kampionë të vendit nuk do të mundë të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve. Liga e Kosovës renditet e fundit në ranglistën evropiane dhe ky fakt po vazhdon t’i lërë të izoluar gjilanasit e rinj, të cilët janë të dëshpëruar dhe të zhgënjyer. Njohësit e futbollit thonë se është gjynah që këta djelmosha të mbesin në shtëpi. Madje shtojnë se juniorët kanë nevojë më shumë se seniorët për ndeshje ndërkombëtare, ku do të bënin përvojë dhe do të vëzhgoheshin nga skautët, shkruan sot, gazeta

Niveli i ulët i futbollit kosovar po u kushton shtrenjtë futbollistëve të rinj, shkruan sot gazeta Zëri.

Juniorët e Gjilanit, si kampionë të Kosovës, është dashur të luajnë këtë verë në garat evropiane.

Mirëpo ata nuk do të mundë të përballen me moshatarët e tyre shkaku i rankingut të dobët të ligës kosovare.

Derisa ekipet seniore kosovare këtë vit do ta shijojnë pjesëmarrjen e dytë në garat evropiane, të rinjtë gjilanas do të mundë t’i shikojnë vetëm nga televizori ndeshjet e Ligës së Kampionëve për të Rinj.

Klubin kuqebardhë e ka njoftuar shtëpia e futbollit kosovar që nuk do të mundë të luajë në Champions sezonin e ardhshëm me ekipin e të rinjve.

Ata ndihen të dëshpëruar dhe të zhgënjyer pasi derdhën djersë gjatë një viti, që krahas titullit të kampionit të Kosovës të mund ta shijojnë edhe aromën e Championsit.

Image

Shala: 99% s’na vjen rasti

Bajram Shala, menaxher për licencim, ka konfirmuar se sipas të gjitha gjasave gjilanasit e rinj nuk do të mundë të luajnë në Evropë në edicionin e ardhshëm, shkruan "Zëri"

“Ne i kemi dërguar të gjitha dokumentet dhe u jemi përmbajtur procedurave. Unë personalisht u kam ndenjur gati atyre, por do të jetë shumë problem. 99% s’na vjen rasti as kësaj radhe. E gjithë kjo për shkak se garimi i skuadrave varet nga rankingu i ligave”, sqaron ai për “Zërin”.

Veliu: Është mëkat dhe zhgënjim për këta djelmosha

Trajneri Fetah Veliu thotë se është gjynah që djelmoshat e rinj të mbesin pa e shijuar paraqitjen ndërkombëtare në një moshë kur më së shumti kanë nevojë.

Kjo pasi përvoja ndërkombëtare mund të fitohet në këtë moshë dhe kur të kalojnë në kategorinë seniore mund të dinë ta menaxhojnë më mirë presionin.

“Dalja në Evropë e mundëson shfaqjen e talentit dhe i jep ndikim pozitiv lojtarit dhe e motivon shoqërinë kosovare të merret më shumë me futbollin. Është zhgënjim për të rinjtë tanë që t’u pamundësohet pjesëmarrja në garat evropiane. Këta të rinj të talentuar janë izoluar. Federata nuk po merret me futbollin vendor, por me Përfaqësuesen. Duhet të bëjë më shumë që t’u mundësohet këtyre djelmoshave të luajnë në Evropë”, u shpreh Veliu për gazetën.

“Nëse lojtarët e rinj do të luanin në Evropë, do të fitonin më shumë përvojë dhe do të ngrihej niveli i tyre në dy apo tri shkallë, do të kishte më shumë intuitë”, shton ai.

Sipas Veliut, me këtë rast humbin futbollistët e rinj, siç kanë humbur dhe janë shuar shumë gjenerata, shkruan "Zëri".

Image

Plepolli: Ky është dëshpërim për këta të rinj

Arsim Plepolli e ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës jashtë vendit duke luajtur edhe në garat ndërkombëtare.

Ai ndihet keq që juniorët e Gjilanit nuk do të mundë të luajnë në Evropë dhe thotë se ky është një dëshpërim i madh për këta djelmosha.

“Sigurisht se nuk është mirë, por në qoftë se kjo është në Rregullore të UEFA-s dhe të FIFA-s, atëherë s’kemi çka të bëjmë. Djemtë mezi presin të kenë gara evropiane, është mëkat që nuk mund të marrin pjesë. Por, fatkeqësisht është vetëm viti i dytë që jemi pranuar. Ky është një dëshpërim për këta djem”, tha trajneri i ri kosovar.

Ai i ka treguar edhe dobitë që do t’i sillte pjesëmarrja në garat evropiane për këta djelmosha, por edhe për klubin e tyre.

“Aty shtohet motivi për punë, por ka edhe shumë skautë që ndoshta ndonjëri prej lojtarëve do t’ju binte në sy. Aty do të mundë ta shihnin se çka është profesionalizmi dhe do ta shihnin sa mund të përballen me lojtarët profesionistë. Kjo ka domethënie shumë të madhe edhe për karrierë”, përfundoi ish-futbollisti i njohur kosovar.

Për të dytin vit me radhë kampioni i vendit në kategorinë e juniorëve nuk do të ketë mundësi të luajë në garat ndërkombëtare.

Kjo për shkak të rankimit tejet të ulët të kampionatit kosovar në ranglistën e UEFA-s.

Kosova rankohet në vendin e 55-të dhe njëherësh të fundit në ranglistën e ligave evropiane dhe ky fakt ua pamundëson juniorëve të Gjilanit daljen në arenën ndërkombëtare.

Gjilani më 12 maj e mori lajmin e gëzueshëm për licencim dhe kështu pati shpresë se ekipi U-19 do të luante në Ligën e Kampionëve, por shpresa do të shuhej disa javë më pas.

Shorti për Uefa Youth League do të hidhet më 19 qershor në Nyon me fillim nga ora 12:00. /Zëri