Humbin djem e çika

Sport June 03, 2018 - 17:04

Përfaqësueset e Kosovës në volejboll në të dyja konkurrencat, meshkujt dhe femrat, gjatë fundjavës që shkoi i pësuan humbjet e radhës në kuadër të CEV Silver European League.

Meshkujt u mundën në udhëtim nga Austria 0:3 në sete, shkruan zeri.info.

“Dardanët” në setin e parë në “Enns Arena” realizuan vetëm 11 pikë, ndërsa në atë të dytë 12 sosh.

Kurse seti i tretë përfundoi 25:20 për austriakët. Takimin e fundit të grupit Kosova e zhvillon ndaj Maqedonisë më 6 qershor.

Verdhekaltrit me këtë rast e pësuan humbjen e pestë radhazi.

Ndërkohë, Kosova në konkurrencën e femrave u mposht në udhëtim nga Suedia me rezultat 0-3 në sete.

Kosovës po i mungon përvoja në të dyja konkurrencat dhe po vërehet dallimi i madh me kundërshtarët sa i përket cilësisë. /Zëri/