Feronikeli Bank

Sport June 02, 2018 - 11:10

Kryesia e Feronikelit e ka marrë shumë seriozisht dështimin e skuadrës në kampionatin e porsapërfunduar. “Nikli” kampionatin e ka mbyllur me vetëm katër pikë larg prej pozitës së barazhit, ndërsa kishte ngecur tepër prapa dy pozitave të para që mund të dërgojnë në gara evropiane, shkruan sot "Gazeta Zëri".

Pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit “Nikli” i kishte shumë më mirë punët pasi kishte disavantazh të vogël nga vendi i parë dhe ishte kandidat i madh për titull.

Mirëpo, kryesia e klubit kishte dhënë dorëheqje që ia kishte kërkuar Komuna e Drenasit me arsyetimin se asaj kryesie i mungonin rezultatet pozitive, ndonëse i numëronte dy tituj të kampionit, Kupë e Superkupë. Në ndërkohë, Komuna e Drenasit klubin ia la në dorë një kryesie të re, në krye të së cilës u vendos biznesmeni Naser Ramaj. Mirëpo, kjo kryesi nuk i ka përmbushur as në minimum pritshmëritë. Kjo ka bërë që Feronikeli të fillojë të ndërmarrë masa për kampionatin e ardhshëm menjëherë pas përfundimit të sezonit të deritanishëm.

“Nikli” është aktivizuar shumë në tregun e futbollistëve, ku po merr futbollistë shumë cilësorë e mjaft të shtrenjtë, Artur Magani, Mevlan Zeka e Përparim Islami. Feronikeli i ka bashkuar edhe dy vëllezërit Lladrovci, Drilonin e Lapidarin, djemtë e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit.

Të gjithë këta futbollistë i ka prezantuar kryetari biznesmen i Feronikelit, Naser Ramaj, i cili duket se ka vendosur ta hapë kuletën në ambicie për ta bërë Feronikelin kampion në kampionatin e ardhshëm dhe për ta arsyetuar ndërrimin e kryesisë së klubit. Për t’i arritur këto “Nikli” nuk po kursen. Besohet se është bërë klubi më shpenzues në këtë afat kalimtar të verës. Këtë e konfirmon paga e lartë mujore e Artur Maganit.

Sulmuesi i deritanishëm i Lirisë besohet se ka shkuar në Drenas shkaku i një rroge prej rreth 2500 eurosh në muaj ose 30 mijë eurosh në vit. Klubet tjera po ankohen se Feronikeli e ka prishur çmimin e futbollistëve në tregun kosovar. Kjo për shkak se Mevlan Zeka ishte shumë afër Dritës, por të cilin e rrëmbeu “Nikli” me ofertë shumë më të mirë. Ofertë të majme Feronikeli i ka bërë edhe Mentor Zhdrellës, shumë më të mirë sesa Drita kampione.

Feronikeli do të bëjë edhe përforcime tjera, ndërsa prioritet të radhës e ka vazhdimin e kontratës me portierin Faton Malokun, i cili po e shqyrton mundësinë për të luajtur jashtë Kosovës.

“Nikli” ka shpenzuar edhe në vazhdimin e kontratave me trajnerin Sulejman Starova dhe futbollistët: Arbër Prekazi, Mendurim Hoti, Lulzim Doshlaku, Astrit Thaçi dhe Argjend Bardhi. Nga Feronikeli nuk do të largohen as Yll Hoxha, Albutrint Morina, Berat Ahmeti, Florian Smakiqi, Diar Prokshi dhe Gentrit Hasi.