Punë pa fjalë

Sport June 02, 2018 - 09:03

Trajnerët nga Shqipëria ishin më të përfolurit në kampionatin e porsapërfunduar. Por në krahasim me Mirel Josën, Bledi Shkëmbin, Gugash Maganin e Sulejman Starovën, trajneri nga Shqipëria Artan Luzi është përmendur shumë pak. Mirëpo punët që ai i bën te FC Prishtina flasin shumë. Përvojën shumëvjeçare të fituar në futbollin italian 46-vjeçari ka vendosur t’ia japë klubit më të madh kosovar. Ai bën punë të madhe në FC Prishtinë. E ndihmon Josën edhe në bërjen e formacionit. I përgatitë futbollistët në aspektin kondicional, por edhe në atë psikik. Dëshiron ta shohë ekipin në çdo moment plot motiv për ngjyrat bardhekaltër, për çka punon shumë në këtë drejtim. Artan Luzi është vetë Prishtina, shkruan sot "Gazeta Zëri".

Kampionati i porsapërfunduar do të mbahet në mend për shumëçka, jo vetëm për Dritën që e nxori kampione ose për Prishtinën që e nxori fituese të Kupës. Do të mbahet në mend për faktin se ishte thuajse më interesanti në 18 vjetët e para të pasluftës. Po ashtu, do të mbahet në mend që pranë vetes solli trajnerë shumë të njohur nga Shqipëria, ku futbolli viteve të fundit ka avancuar shumë, duke e lënë tepër prapa futbollin kosovar.

Image

Trajnerët Mirel Josa, Bledi Shkëmbi, Gugash Magani e Sulejman Starova ishin ndër emrat më të përfolur në Superligë. Mirëpo në dallim prej kësaj katërsheje të trajnerëve nga Shqipëria Artan Luzi nuk është përmendur thuajse fare, por ai ka punuar jashtëzakonisht shumë. Në pesë muajt e fundit trajneri po ashtu i ardhur nga Shqipëria ka qenë njëri prej punëtorëve më të dalluar në FC Prishtinë. Luzi nga janari i është bashkuar FC Prishtinës si ndihmës i Mirel Josës. Ka rol të trajnerit kondicional, por Luzi ka bërë edhe shumë punë tjera, madje shpeshherë është parë në rolin e psikologut duke u folur dhe duke i motivuar lojtarët.

“Dua ta falënderoj presidentin Remzi Ejupi dhe shokun tim, ish-kapitenin tim të ekipit 17 Nëntori Mirel Josën, të cilët më dhanë mundësi që unë të punoj në klubin e Prishtinës. Jam shumë i kënaqur edhe për qytetin. Vij në Prishtinë me një eksperiencë nga jashtë, pas shumë vitesh jetese e pune jashtë Shqipërisë. Jam shumë-shumë i lumtur dhe i kënaqur me atë që ka klubi i Prishtinës, me atë që ndodh në klubin e Prishtinës dhe me atë që duhet të japim ne për Prishtinën”, thotë Luzi në një bisedë me “Zërin”. Në FC Prishtinë tashmë të gjithë e njohin si një punëtor profesionist. Si njeri shumë pozitiv. Por, kush është në fakt Artan Luzi?

Image

Është 46-vjeçar. Ai ka lindur në Tiranë. Ka luajtur për Tiranën. Pastaj kishte shkuar në Itali, ku fillimisht luante futboll, ndërsa nga viti 2001 ka punuar si trajner nëpër akademi italiane dhe në ekipe profesionale. “Kam karrierë të gjatë në futboll. Kam jetuar mbi 25 vjet në Itali, ku jam marrë gjithmonë me futboll si në nivel të shkollave të futbollit, si drejtues, ashtu edhe në nivel trajneri në ekipe profesioniste”, tregon ai. Luzi thotë se tani është vënë në dispozicion të plotë të FC Prishtinës me të cilën shumë shpejt është lidhur emocionalisht.

Image

“Po mundohem që gjithë atë eksperiencë që e kam akumuluar ndër vite ta vë në dispozicion të Prishtinës dhe të futbollistëve që i kemi”, thekson Luzi. Ai pohon se është i vetëdijshëm se në çfarë klubi të madh ka ardhur për të punuar. “Kjo Prishtinë është aq e madhe, saqë çdo vit duhet ta fitojë së paku një trofe. Ky nuk është një detyrim, por duhet të jetë një obligim për secilin prej nesh që jemi aty”, shton ai.

Luzi: Një Prishtinë kombëtare dhe evropiane

Artan Luzi insiston se FC Prishtina duhet ta marrë dominimin në futbollin kosovar dhe të fillojë të ecën me këmbët e veta në futbollin evropian. Thotë se FC Prishtina është klub i madh, andaj nuk ka se çka të presë. “Kemi ardhur që të krijojmë diçka që të durojë në kohë. Ky është objektivi ynë kryesor. Pra, ta hapim një cikël për Prishtinën futbollistike, për gjithë qytetin. Të mundësojmë që këtë ekip ta ngremë edhe në nivelin kombëtar, por edhe në nivelin ndërkombëtar. Por sa do t’ia dalim, kjo nuk varet vetëm nga dëshira ime por edhe nga stafi drejtues, presidenti, kryesia, futbollistët, tifozët”, thekson Luzi.

“Dëshira ime dhe e Josës është që ne të kontribuojmë për këtë fanellë. Fanella bardhekaltër e Prishtinës ka diçka prekëse edhe për mua sepse ka të njëjtat ngjyra me klubin e zemrës, me klubin që më ka rritur si futbollist dhe që kam debutuar me fanellën e atij klubi. Ai është klubi Tirana. Tirana ka ngjyrat bardheblu, kurse te Prishtina ekziston edhe një zemër në logo. Dhe kjo zemër duhet ndier që ta kuptosh”, shton ai.

 

Luzi: Prishtina, kampion moral i Kosovës

Artan Luzi ndihet i lumtur që në muajt e parë të punës në FC Prishtinë, e ka arritur Kupën e Kosovës dhe kualifikimin në kompeticionin e Europa Leagues, ndërsa në kampionat me bardhekaltrit dolën nënkampionë. Kjo pasi titullin e kampionit e mori Drita. “Nuk arritëm ta fitojmë kampionatin në ndeshjen e fundit dhe nuk dua t’u kthehem episodeve që kanë ndodhur, nuk dua të bëj polemika. Por dua të nxjerr mësime nga kampionati. Moralisht kemi fituar”, thekson Luzi. “Ka momente që na mungon cilësia e lojës dhe ne do të punojmë shumë në ngritjen e cilësisë. Shpresoj që presidenti të na mundësojë edhe futbollistë cilësorë. Josa dhe unë nuk jemi marrë me bërjen e një ekipi. Por ekipi i bërë nga Prishtina në qershorin e vitit të kaluar dha rezultat pozitiv. Vendin e dytë në kampionat, fitues i Kupës dhe kualifikim në gara evropiane nënkupton se Prishtina mbeti brenda objektivave”, tha ai.

Image

Luzi punon edhe në formacionin e Josës

Mirel Josa vlerësohet si njëri prej trajnerëve më të mirë dhe më të suksesshëm shqiptarë. Mirëpo, njeriu i trofeve me Skënderbeun në FC Prishtinë ndihmohet shumë nga Artan Luzi. Madje, ky i fundit bashkë me Ahmet Beselicën e Armend Simnicën merren edhe me formacionin kryesor të ekipit. “Nuk jam vetëm unë që punoj në stafin e Mirel Josës. Janë edhe kolegët e mi Ahmet Beselica dhe Armend Simnica. Ne të katërtit në çdo seancë stërvitore ose para çdo ndeshje mblidhemi, mbajmë mbledhje teknike, ku e diskutojmë programin javor dhe formacionin e mundshëm që mund të luajë pavarësisht faktit se Mirel Josa vendos në shumë gjëra”, tregon Luzi. “Dua të them se ne e kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe ky bashkëpunim po i jep frytet e veta pozitive”, përfundoi ai.  

Image
Image