Gati për Ligën e Kombeve

Sport June 01, 2018 - 16:48
Detajet

Përfaqësuesja e Kosovës është e gatshme për sfidat që e presin në Ligën e Kombeve. Tri miqësore fantastike ishin të mjaftueshme për përzgjedhësin Bernard Challandes që ta njohë ekipin, pasi miqësorja e katërt dështoi në momentet e fundit. Trajneri zviceran thotë se e ka në dispozicion një ekip të mirë dhe që ka përparuar, por nuk e përjashton mundësinë që ta pasurojë atë me prurje të reja në muajt në vazhdim. Ai është i kënaqur me atë që e pa këta muaj te lojtarët e tij, por tregohet i matur sa u përket premtimeve për kualifikim eventual në Evropian përmes Ligës së Kombeve, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Bernard Challandes i ka idetë e qarta rreth ekipit në të cilin do të llogaritë për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Trajnerit zviceran i kanë mjaftuar tri ndeshje miqësore në krye të Përfaqësueses së Kosovës për ta pasur një pasqyrë për futbollistët që do t’i duhen për evenimentin e ri, i cili do të fillojë në shtator të këtij viti e përmes të cilit Kosova mund ta sigurojë kualifikimin historik në Evropianin 2020.

Nën drejtimin e tij Verdhekaltrit bënë paraqitje të shkëlqyeshme, duke i fituar miqësoret me Madagaskarin (1:0), Burkina Fason (2:0) dhe Shqipërinë (3:0), duke e “blinduar” portën e Samir Ujkanit, që nuk u mposht fare në tri takimet e fundit.

Edhe pse dështoi miqësorja e katërt e Kosovës, Challandes thotë se tri ndeshjet e para të tij ishin të mjaftueshme për të pasur njohuri rreth skuadrës.

Ai më tutje shton se në dispozicion do ta ketë një ekip solid, i cili ka përparuar, por që mund të bëjë progres edhe më të madh në të ardhmen me punën e përbashkët të të gjithëve, shkruan "Zëri".

“Ne kemi përparuar natyrisht. Jemi përmirësuar, por duhet të punojmë edhe më shumë. Kemi bërë punë të mirë deri tash, mund të përparojmë më tutje. Tash më duhet të studioj gjithçka përpara takimit të radhës në shtator, por për mua hapi i parë si trajner i ri është të kërkoj lojtarë kandidatë për Përfaqësuese. Tash pas këtyre kampeve stërvitore mund të them se kam ide të mira dhe të qarta rreth kandidatëve”, ka thënë fillimisht Challandes për “Zërin”.

“Por, mundem ende të kërkoj edhe një apo dy lojtarë muajin e ardhshëm. Ndoshta lojtarë që janë në dyshim nëse do të luajnë për Shqipërinë, Kosovën ose Zvicrën. Tash mund të them, do ta kem një ekip të mirë për Ligën e Kombeve. Nëse kjo është e mjaftueshme nuk e di, se ku do të jemi nuk e di, por sot mund të them se kam parë çka doja të shihja”, vazhdoi ai.

Dështon edhe miqësorja me Iranin

Pas dështimit të ndeshjes me Bregun e Fildishtë, të enjten ka dështuar edhe miqësorja tjetër e përfolur me Iranin. Në fakt, Përfaqësuesja ishte shumë afër të luajë me ekipin që do të luajë në Botërorin 2018, por kërkesa e iranianëve që ndeshja të zhvillohet në Stamboll të Turqisë pa praninë e shikuesve ishte e papranueshme për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka vendosur ta anulojë këtë ndeshje.

Ditëve të fundit u përmendën edhe opsionet e tjera si Kongo e Moldavia, por në fund nuk pati asgjë konkrete.

Kosova i ka fituar katër ndeshjet e fundit miqësore radhazi, tri prej tyre me trajnerin Challandes, i cili ka thënë se do ta zgjedhë ekipin më të mirë për t’iu kundërvënë kundërshtarëve, Azerbajxhani, Malta e Ishujt Faro në Ligën e Kombeve.

Vazhdojnë stërvitjet në Zvicër

Trajneri Challandes po e vazhdon punën me ekipin pavarësisht anulimit të miqësores me Iranin. Ai e ka pranuar se do të ishte mirë që kosovarët të luanin me iranianët, por shton se edhe kampi stërvitor i shërben për ta përgatitur ekipin sa më mirë për sfidat e shtatorit.

“Pasi nuk kemi kundërshtar për fundjavë, punuam këto ditë me ekipin në Zvicër dhe të premten të gjithë lojtarët mund të shkojnë në shtëpi dhe t’i shijojnë pushimet”, nënvizoi Challandes.

Ndërkohë, shtëpia e futbollit kosovar ka njoftuar se kontingjenti i Përfaqësueses do të kthehet në Kosovë të shtunën, më 2 qershor./Zëri