S’është njëjtë si në Liri, si në Skënderbe!

Sport May 30, 2018 - 13:10

Bledi Shkëmbi e ka nisur shumë mirë karrierën si trajner, shkruan sot gazeta Zëri.

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë që ishte edhe kapiten i Skënderbeut karrierën si trajner e nisi në Kosovë, ku në kampionatin e porsapërfunduar e udhëhoqi Lirinë.

Këtë punë Shkëmbi e kreu me mjaft sukses pasi nën drejtimin e tij Liria pas shumë vjetësh tentoi ta fitojë titullin e kampionit, gjë që nuk e arriti, duke u dorëzuar në gati krejt në fund.

Në këtë ngecje të Lirisë më së shumti ka ndikuar kriza financiare që nuk e kishte në fillim të garës kampionale, por që u shfaq në ndërkohë.

Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, vendi i pestë nënkuptoi rezultat pozitiv për Lirinë dhe për Shkëmbin, i cili u nda me prizrenasit me të përfunduar stinori dhe nuk dihet se ku do të punojë në sezonin e ardhshëm.

I sigurt është fakti se Shkëmbi nuk do të punojë as te Liria e as te klubi i zemrës, Skënderbeu, presidenti i të cilit klub Ardian Takaj e pret me krah të hapur.

Por, pavarësisht suksesit në Kosovë, Shkëmbi thotë se është i pamjaftueshëm për një klub si Skënderbeu.

“Takaj thotë që jam ende i Skënderbeut? Më vjen mirë, është e vërtetë që jam ende shumë i lidhur me Skënderbeun dhe ndihem ende pjesë e atij klubi. Kur të jem gati, do të kthehem te Skënderbeu”, ka thënë ai.

“Eksperienca në Kosovë? Ishte e duhura, ashtu si e mendoja. Arritëm objektivin që vendosëm në fillim. Kur shkova në Prizren u habitën shumë njerëz që zgjodha Kosovën për të bërë punën e trajnerit. Është herët për të folur rreth së ardhmes. Do të vazhdoj në këtë rrugë, nuk e di ku”, ka theksuar Shkëmbi. /Zëri/