Trepça - Dardana, kjo skuadër bie nga liga!

Sport May 29, 2018 - 18:59

Trepça ka siguruar mbetjen në Ligën e Parë për edicionin e ri, pasi në ndeshjen e barazhit, që u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, e ka mundur Dardanën, pas penalltive, me rezultat 3:2.

Hero i “xehetarëve” ishte portieri afrikan, Theo Fodjo Lali, i cili priti tri gjuajtje të futbollistëve të Dardanës në serinë e penalltive.

Ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll pa gola. Në pjesën e parë të dyja palët patën nga dy mundësi të mira shënimi.

Trepça kërcënoi portën e Dardanës në minutat 24’ dhe 29’, por fillimisht gjuajtjen e Rigon Kabashit, e më pas të Valmir Azemit portieri Granit Statovci arriti t’i dëbojë në fundore.

Në anën tjetër, Dardana rrezikoi portën e mitrovicasve në minutat e fundit të pjesës së parë, kur në dy raste Egzon Huruglica doli në pozita të mira shënimi, por herën e parë gjuajti mbi portë, kurse herën e dytë gjuajtjen e tij e dëboi në këndore portieri Theo Fodjo Lali.

Në pjesën e dytë secila skuadër pati nga një rast të mirë, por sërish nuk u treguan sa duhet efikas në finalizim të aksioneve.

Në minutën e 62-të, Arjanit Krasniqi i Trepçës ishte në mundësi të mirë, por gjuajtjen e tij e dëboi portieri Statovci.

Ndërkaq, Dardana tentoi të shënojë nga ndërprerja në minutën e 78-të, por gjuajtja e fortë e Admir Kastratit shkoi përskaj shtyllës.

Në serinë e penalltive më efikas u treguan futbollistët e Trepçës, të cilët shënuan 3 herë, derisa te Dardana shënuan vetëm dy futbollistë, derisa dështuan tre.

Loja e të dyja skuadrave ishte tejet korrekte, derisa për atmosferë të mirë në tribuna u përkujdesen të dyja grupet e tifozëve “Dardanët” në njërën anë dhe “Torcida” në anën tjetër.