Kuqezinjtë zbresin në stërvitje, mungojnë vetëm Vajushi e Selmani

Sport May 27, 2018 - 11:02
Detajet

Kombëtarja shqiptare ka zbritur sot në fushë, për të kryer seancën e parë stërvitore, në kuadër të ndeshjes miqësore me Kosovën, që do të luhet më 29 Maj, në Zvicër.

Kuqezinjtë janë rreshtuar nën urdhrat e trajnerit Cristian Panucci, në qytetin e Zyrihut, ndërsa grupit nuk i është bashkuar ende portieri i Laçit, Gentian Selmani.

Ky i fundit do të zëvendësojë Strakoshën, që nuk u grumbullua për shkak të problemeve fizike, ndërsa do të udhëtojë drejt Zvicrës, menjëherë pas përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë, nesër në orën 19:00.

Gjithashtu në këtë seancë të parë nuk është stërvitur as sulmuesi shkodran Armando Vajushi, për shkak të problemeve fizike. Gjithsesi raportohet se situata e tij nuk është problematike dhe se do të vihet shpejt në dispozicion të teknikut italian.