Vëllaznimi në Ligën e Parë, shihni reagimet

Sport May 25, 2018 - 16:20
Detajet

Largimi i Vëllaznimit nga Superliga nga shumica e njohësve, por edhe dashamirëve të futbollit kosovar vlerësohet si një humbje e madhe, qoftë për shkak të traditës së skuadrës, qoftë edhe për shikueshmërinë që e kanë gjakovarët, e cila sigurisht do të reflektohet në edicionin e ardhshëm.

Ndër të parët që ka reaguar është trajneri Ismet Munishi, nën drejtimin e të cilit Vëllaznimi e nisi kampionatin e sivjetmë. “Futbolli është sporti i parë në botë, sepse është i paparashikueshëm. Një gjë është e sigurt, pa Vëllaznimin dhe pa Vushtrrinë, shikueshmëria në edicionin e ardhshëm në Superligë do të jetë shumë më e dobët. Nëse është e vërtetë thënia se futbolli luhet për shikues, atëherë nuk ka humbur Gjakova dhe Vushtrria, por e gjithë Kosova. E kam një mesazh për këto klube, kampion është ai që nuk dorëzohet kurrë”, ka shkruar Munishi në profilin e tij në Facebook.

Shumë më kritik ka qenë ish-futbollisti i Vëllaznimit, Samir Sahiti, i cili ka pasur disa pyetje për kryetarin e klubit, Agim Canën. “Agim, si po ndihesh? Solle ‘profesionalizëm’ dhe fundose një klub kaq të madh. A ke fytyrë t’u dalësh gjakovarëve para? Me mua dhe Ismet Munishin do i iknim edhe barazhit. Mos harroni, Gjakovë e dashur, e vërtetuat pse nuk kam vazhduar me Vëllaznimin. Forca , kthehuni sa më shpejt se i duheni Superligës…”, ka shkruar Sahiti.

Ndërsa, futbollisti Lek Vula, i cili nuk pati shumë hapësirë, por që në disa ndeshje i shënoi golat vendimtarë, ka qenë shumë më i shkurtë. “Kërkoj ndjesë! Faleminderit për gjithçka”, ka shkruar Vula.