“Zizi” ndihet i lënë anash

Sport May 25, 2018 - 14:42
Detajet

Aziz Salihu ndihet i lënë anash nga të gjithë. Legjenda e boksit thotë se të gjithë në Kosovë e kanë harruar atë që ka dhënë për këtë vend dhe për sportin e tij. Ai kërkon mbështetje nga Qeveria dhe një pozitë në sport për ta çuar atë përpara. Ai shprehet i bindur se do të dërgonte boksierë në Olimpiadë nëse do t’i besohej puna me ta. “Zizi” po përgatitet për turneun e radhës, që do ta organizojë në muajin qershor, ndërsa ua përkujton të gjithëve se është ai pa asnjë diskutim sportisti më i madh shqiptar, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Aziz Salihu nuk e kishte menduar kurrë që do të vinte në këtë gjendje gjatë periudhës sa ishte yll i boksit në ish-Jugosllavi. Legjenda e boksit shqiptar ndihet i lënë anash nga shteti i Kosovës, për të cilin thotë se ka dhënë kontribut të madh në ndërtimin e tij. “Zizi” shprehet i shqetësuar për faktin se e kanë harruar të gjithë në vend, pasi i mungon përkrahja.

Ai ankohet se vazhdon të paguajë qira, pasi shteti nuk ishte i aftë t’ia siguronte një vendbanim e po ashtu nuk ia ofroi as një vend pune, përkundër gjithë asaj çka ka bërë për Kosovën ndër vite si sportist edhe pas përfundimit të karrierës.

“Unë e kam çuar një jetë me këtë sport, e kam pasur një karrierë të jashtëzakonshme. Tash jam kryetar i klubit të boksit Prishtina. Mundohem t’u ndihmoj boksierëve që të shkojnë përpara. Boksi është sporti numër një në Kosovë dhe unë dua të jem ende pjesë e tij”, e shpreh fillimisht Salihu për “Zërin” dashurinë që e ka për këtë sport luftarak.

“Të mbetet Aziz Salihu në këtë gjendje e të tjerët po bëhen miliarderë, këtë nuk e kam pritur. Jam moti i lënë anash nga Federata e Boksit. Secila qeveri që ka ardhur nuk më ka çmuar. Bile një herë të ma jepnin një post, që të thonë se nuk paska punuar badihava Azizi gjatë gjithë kësaj kohe. Çfarëdo që ndodhte në të kaluarën më ftonin, pasi kam emër. Por tash kanë dalë disa njerëz që rrinë vetëm në karrige. E sot nuk gjendem në Komitet Olimpik, nuk gjendem në sport. Kjo është marri”, shton ai.

“Kam pritur shumë nga disa njerëz që janë në Qeveri, por erdhi puna që Aziz Salihu të mbetet rrugëve, jam në banesë me qira. Kam qenë në Amerikë mbi një muaj, por nuk mund t’u tregoja kur më pyesnin sa kam pasuri. Amerikanët ma kanë dhënë vizën për 10 vjet posa më kanë parë në internet duke boksuar. Kudo që shkoj unë jam njëshi, ndërsa në vendin tim nuk vlerësohem fare”, ankohet “Zizi”.

Ai tregon se nervozizmi nga padrejtësitë që po i bëhen po ia përkeqëson edhe gjendjen shëndetësore. Ai i falënderon të gjithë njerëzit që e kanë vizituar në kohën sa ishte në spital dhe për mesazhet që ia kanë dërguar, duke ia konfirmuar se megjithatë është i rëndësishëm për popullin, të cilin e do shumë.

Ai thotë se nuk i ka bërë askujt keq, se ka punuar shumë për pavarësinë e Kosovës dhe ka vrapuar për popullin e saj, ndërsa tash habitet kur disa njerëz flasin keq për të.

Salihu: Unë jam Nexhmije Pagarusha për sport

Salihut i qeshet kur dikush e krahason me boksierët e tjerë shqiptarë, pasi mendon se është njëshi në këtë sport. “Unë e shoh ndonjëherë kur pyesin se kush është boksieri më i mirë në histori të shqiptarëve. Çka është Nexhmije Pagarusha në muzikë, ashtu jam edhe unë në sport. Në ish-Jugosllavi kam qenë njëshi, e kam pasur derën e hapur gjithkund. Jam rrahur edhe me karateistë, kick-bokserë, taekwondo, e kam provuar të rrihem edhe me ta dhe i kam rrahur. E kam pasur një simpati nga të gjithë popujt”, shpjegon Azizi.

Mund të kontribuoj edhe 2-3 vjet

Aziz Salihu insiston se mund të kontribuojë në boks edhe 2-3 vjet. Ai është i bindur se, nëse i jepet mundësia të punojë me boksierë, nga 10 prej tyre, me kampe stërvitore dhe meçe nëpër turne për të bërë përvojë, 3-4 boksierë do t’i dërgonte në Olimpiadën e Tokios. Por, ai shprehet se njerëzit xhelozë, që janë ulur në karrige qe 20-30 vjet, po ia pamundësojnë një gjë të tillë një njeriu që ka marrë pjesë në tri olimpiada. Minimumi, ai pret të ftohet si mysafir special në kontingjentin kosovar për Olimpiadën 2020.

Salihu shprehet i bindur se, nëse do të boksonte sot, do të shkonte sigurt në Lojërat Olimpike e madje do të mundë të fitonte edhe medalje, pasi tash thotë se sportistët kosovarë e kanë shtetin e tyre dhe e kanë më të lehtë në krahasim me periudhën kur garonte ai, kur ish-Jugosllavia kishte 25 milionë banorë dhe sportistët shqiptarë ishin më të shtypurit.

Gjithashtu shprehet se sot mund të merren medaljet e arta olimpike edhe me të njohshëm, duke i njohur referët, kryetarët ose sekretarët e federatave. “Në këtë mënyrë edhe unë do të mund të merrja medalje me garuesit e mi. Pa pasur miq dhe shokë, pa dhënë para, nuk mund të marrësh medalje”, thotë Salihu.

“Zizi” tregon se muajin tjetër do ta organizojë një turne ndërkombëtar, ndërsa shprehet se në Kosovë sporti i boksit është lënë anash.

E pranon se i mungojnë meçet dhe se do të dilte në ring për të boksuar dhe për t’i zbavitur shikuesit. Në atë kohë insiston se do t’i rrihte Klitschkon dhe Joshuan. Salihu shpreson që për të dhe për boksin kosovar do të vijnë ditë më të mira./Zëri