Prizreni e meritoi titullin

Sport May 25, 2018 - 10:57

Bashkimi e fitoi titullin e parë të pasluftës pasi dominoi në basketbollin kosovar në sezonin 2017/18. Prizrenasit e mposhtën Sigal Prishtinën në serinë finale të “Play-Off”-it 3-1 në ndeshje për ta ngritur trofeun pas dy finaleve të dështuara këtë edicion, në Kupë dhe në Ligën Ballkanike, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjithashtu, ky ishte tentimi i tretë pas luftës për titull dhe e treta e vërteta ishte e suksesshme për ekipin Portokalli.

“Arpaxhikët” po e shijojnë këtë trofe, i cili arriti në qytetin pranë “Shatërvanit” pas plot 17 vjetësh, pasi Bashkimi e kishte fituar Kupën në vitin 2001 dhe nga ajo kohë “kishte agjëruar” sa u përket trofeve.

Trajneri Dragan Radovic ka thënë se qyteti i Prizrenit e ka fituar një trofe të tillë. Ai ndihet i lumtur dhe krenar që i udhëhoqi djelmoshat drejt rrugës së vështirë për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës.

“Mendoj se qyteti i Prizrenit bashkë me tifozët ‘Arpaxhikët’ e kanë merituar një titull të tillë. Kemi qenë më të mirë se Prishtina në pjesën e dytë të sezonit dhe e kemi merituar shpalljen kampionë”, ka thënë trajneri malazez.

Qyteti i Prizrenit ishte mjaft i suksesshëm këtë edicion në basketboll. Krahas meshkujve, Bashkimi edhe në konkurrencën e femrave është shpallur kampion i Kosovës.