Yjet që mbetën jashtë Botërorit

Sport May 23, 2018 - 16:03
Detajet

Përfaqësueset pjesëmarrëse të Kupës së Botës tashmë kanë filluar t’i dorëzojnë listat e futbollistëve të ftuar për këtë kompeticion. Çdo ekip ka të drejtë të ftojë 23 futbollistë. Ky numër i limituar bën që në çdo katër vjet shumë futbollistë të shkëlqyeshëm të mbesin jashtë listës. Edhe këtë vit pritet të ketë mungesa mjaft të mëdha në Botëror. Ne ua sjellim disa prej tyre, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Kupa e Botës pa dyshim që shihet si arritja më e madhe në karrierën e një futbollisti. Prezenca në këtë kompeticion vlen shumë. 32 kombëtaret e Botërorit tashmë kanë filluar t’i dorëzojnë listat e futbollistëve të ftuar për këtë kompeticion. Por, edhe këtë vit si çdo herë tjetër do të ketë mungesa të disa futbollistëve mjaft të njohur. “The New York Times” sjell disa prej tyre.

Alvaro Morata, Spanja

25-vjeçari shënoi 11 gola për Chelsean këtë vit në Premierligë pas transferimit prej rreth 70 milionë eurove në verën e kaluar. Morata pati një fillim të mirë të sezonit, por forma e tij pati rënie në pjesën tjetër. Në vend të tij si qendërsulmues janë përfshirë Diego Costa, Iago Aspas dhe Rodrigo.

Radja Nainggolan, Belgjika

Mesfushori i Romës ndihmoi ekipin e tij drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve. Nainggolan njihet edhe për tatuazhet e tij të shumta. Mungesa e tij po vlerësohet të jetë për shkak të sjelljeve të tij kontroverse. Mosftesa për në Botëror bëri që ai edhe të pensionohet përfundimisht nga kombëtarja e Belgjikës.

Anthony Martial, Franca

Sulmuesi i Manchester Unitedit thjesht nuk ishte ndër të preferuarit e Jose Mourinhos pas transferimit të Alexis Sanchezit në muajin e janarit. Përveç tij në ekipin e Francës nuk janë përfshirë edhe emra si Dimitri Payet dhe Alexandre Lacazette.

Mario Gotze, Gjermania

25-vjeçari kishte shënuar golin e vetëm në finalen e Kupës së Botës para katër vjetësh. Por, problemet e tij të mëdha me lëndimet bënë që ai të mos jetë në listën e Joachim Lowt. “Nuk ishte sezoni i tij. Ai nuk i tregoi kualitetet e tij. Ai thjesht nuk ishte në formë”, kishte deklaruar Low.

Renato Sanches, Portugalia

Mesfushori 20-vjeçar kishte luajtur një rol kyç në triumfin e Portugalisë në Kampionatin Evropian të vitit 2016. Sidoqoftë, ai nuk ka luajtur shumë as me fanellën e Bayern Munichut e as si i huazuar te Swansea. “Më dhemb që nuk kam mundur t’i përfshij të gjithë futbollistët që ishin me ne në Kampionatin Evropian. Të gjithë ata na ndihmuan neve që të shkruajmë një faqe brilante në historinë e futbollit portugez”, ishte shprehur trajneri i Portugalisë, Fernando Santos.

Joe Hart, Anglia

Portieri 31-vjeçar ka qenë titullar me Anglinë në tri kompeticionet e fundit ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kupën e Botës të vitit 2014. Ai luajti si titullar në 9 nga 10 ndeshjet e Anglisë në kualifikimet për Botëror. Ai ishte lënë në bankën rezervë nga West Hami në fund të edicionit. Në vend të tij janë ftuar Jack Butland, Jordan Pickford dhe Nick Pope./Zëri