Bashkimi e do titullin, Prishtina beson ende

Sport May 23, 2018 - 13:16
Ja kur zhvillohet ndeshja e katërt finale e 'Play-Offit'

Bashkimi do ta ketë sonte rastin jetësor për ta fituar titullin e parë të kampionit të Kosovës në histori të klubit. Ekipi Portokalli avancon 2-1 në serinë finale të “Play-Off”-it të basketbollit ndaj Sigal Prishtinës dhe do t’i mjaftonte sonte një fitore përpara shikuesve të tyre në palestrën “Sezai Surroi” për ta realizuar ëndrrën. Nga ana tjetër, Bardhekaltrit e kanë marrë rrugën drejt Prizrenit me synim që ta përmbysin rezultatin dhe ta barazojnë serinë në 2-2, për ta kërkuar më pas titullin në duelin e pestë në kryeqytet

Bashkimi nuk ka qenë kurrë më afër titullit të kampionit të Kosovës në basketboll, shkruan sot gazeta Zëri.

Prizrenasit avancojnë 2-1 në serinë finale të “Play-Off”-it të basketbollit dhe janë vetëm një fitore larg titullit të më të mirit, të parin në histori të tyre.

Ekipi Portokalli do ta ketë “Match-Point” numër 2 sonte, pasi të parin nuk e shfrytëzoi në kryeqytet javën e kaluar, ku pësoi humbje.

Zenelaj: Shpresojmë të mbetemi të pamposhtur në shtëpi

Sidoqoftë, prizrenasit duan ta mbyllin çështjen e kampionit sonte përpara shikuesve të tyre në palestrën e sporteve “Sezai Surroi”.

Në të kundërtën, nëse barazohet seria finale në 2-2, punët do të përkeqësoheshin për këtë ekip pasi ndeshja e pestë eventuale zhvillohet në kryeqytet.

“Dy ndeshjet e para i fituam shumë lehtë. Kjo na bëri që të shkonim në Prishtinë duke menduar se do të jetë një lojë e lehtë, por ndodhi e kundërta. Shpresojmë që të kemi marrë mësim prej asaj humbjeje dhe të hyjmë me seriozitet në këtë lojë”, thotë për “Zërin” basketbollisti i Bashkimit Urim Zenelaj.

“Të mërkurën palestra do të jetë e mbushur dhe ne në edicionin pranveror nuk jemi mposhtur asnjëherë në shtëpi, as në Ligën Ballkanike dhe as në Superligë. Shpresojmë që kështu të mbetet edhe të mërkurën”, vazhdoi basketbollisti nga Theranda, i cili foli edhe në nivelin personal.

“Në dy ndeshjet e fundit kontributi im ka qenë më i zbehtë se zakonisht për shkak se ka filluar Ramazani. Por, tash edhe trupi ka nisur të ambientohet me këtë rutinë dhe shpresoj që do t’ju ndihmoj më shumë bashkëlojtarëve”, përfundoi Zenelaj, i cili luan kundër ish-skuadrës së tij.

Rugova: Prishtina nuk dorëzohet

Prishtina ishte e përgjumur në dy ndeshjet e para finale, por e tregoi forcën e saj në duelin e tretë, që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. Me këtë rast, Bardhekaltrit hapën gjithçka sa i përket titullit të kampionit, duke e ngushtuar disavantazhin 1-2 me ndeshje.

“Besimi që kam në ekip, në bashkëlojtarë dhe në trajnerë më bën optimist për të mërkurën. Do të nisemi për të fituar”, thotë për gazetën basketbollisti prishtinas Granit Rugova.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Shpresoj që edhe unë të jem në gjendje ta ndihmoj ekipin sa më shumë. Besoj se në fund të lojës do të dalim me kokën lart”, vazhdoi Rugova, dikur basketbollist i Bashkimit.

Bashkimi nuk e ka pësuar asnjë humbje sivjet, në Superligë e as në Ligën Ballkanike.

Mirëpo, sipas Rugovës, gjithmonë ekziston hera e parë dhe ai beson se Bardhekaltrit do ta thyejnë këtë tabu.

“Pavarësisht faktit që loja është në Prizren, nëse arrijmë ta bëjmë lojën tonë, nuk do të ketë rëndësi terreni”, përfundoi basketbollisti prishtinas.

Bashkimi është në kërkim të titullit të parë në basketbollin e pasluftës, respektivisht të trofeut të dytë pasi e kishte fituar Kupën shumë vite më parë.

Kurse, prishtinasit synojnë ta mbrojnë titullin dhe dominimin disavjeçar në basketbollin kosovar.

Ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Prishtinës, e katërta në serinë finale të “Play-Off”-it, do të zhvillohet sonte duke filluar nga ora 21:00. /Zëri/