Pas titullit të kampionit, Shkëndija e do sonte edhe Kupën

Sport May 23, 2018 - 12:20

Shkëndija synon ta kompletojë në mënyrë perfekte sezonin 2017/18, shkruan sot gazeta Zëri.

Kuqezinjtë javë më parë e siguruan titullin e kampionit të Maqedonisë, të dytin në histori të tyre, të cilin e festuan fundjavën që shkoi.

Mirëpo, tashmë festa ka mbaruar dhe fokusi e krejt sytë janë zhvendosur te një trofe tjetër i çmueshëm, ai i Kupës së Maqedonisë.

Skuadra tetovare është e motivuar dhe e vendosur ta fitojë edhe këtë kompeticion për ta mbyllur një sezon përrallor, i cili ishte njëri prej më të suksesshmëve në histori të klubit.

Trajneri Qatip Osmani ia ka dhënë ekipit motivin e duhur për ta fituar trofeun e dytë sezonale pas suksesit të jashtëzakonshëm në kampionat, ku e la larg me kilometra rivalin kryesor, Vardar.

Të mërkurën mbrëma Shkëndija do të përballet me Pelisterin në finale të Kupës.

“Shkëndija u shpall kampione dhe jam i lumtur për këtë fakt. Shpresojmë se Shkëndija nuk do të ndalet vetëm me titullin e kampionit, shpresojmë ta marrim edhe Kupën e Maqedonisë. Gjithashtu, edhe në kupat e Evropës së paku ta përsërisim rezultatin e sezonit të kaluar”, ka thënë Osmani, i cili mendon se me ardhjen e kompanisë “Ecolog”, në krye me pronarin Lazim Destani, Shkëndija po shkon në drejtim të duhur dhe është bërë ekip serioz, ekip i madh.

Edhe ai me shtabin teknik, njëjtë si pronarët, kryesia dhe futbollistët, i ka meritat e tij për suksesin e fundit, pasi e menaxhoi mjaft mirë ekipin, i cili e fitoi titullin e dytë në histori të klubit, pas atij të fituar në vitin 2011.

Shkëndija e ka mposhtur Pelisterin me rezultat të thellë, 4:0 ditë më parë, në ndeshjen e fundit të kampionatit, ndërsa do të mundohet ta përsërisë këtë lojë dhe ta mposhtë përsëri sonte këtë ekip në Strumicë.

Siç dihet, pas paraqitjeve solide në Europa League për disa sezone Shkëndija këtë edicion do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, ku synon të lërë gjurmë dhe të shkëlqejë edhe në këtë kompeticion prestigjioz evropian. /Zëri/

Finalja e Kupës së Maqedonisë

E mërkurë

20:00 Shkëndija – Pelisteri