Betejat e barazhit: Këto katër skuadra do t'i kërkojnë dy vendet e lira në Superligë!

Sport May 23, 2018 - 12:16

Kampionati i rregullt i Kosovës në futboll u mbyll fundjavën që shkoi, por për disa skuadra kjo javë do të jetë vendimtare pasi do t’i zhvillojnë “finalet” e tyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Derisa Besa dhe Vllaznia ranë direkt nga Superliga, këtë mesjavë do të zbulohen edhe emrat e dy ekipeve tjera që do të bien ose do të mbeten në elitën e futbollit kosovar.

E mërkura e sjell duelin ndërmjet dy klubeve me traditë në futbollin kosovar, Vushtrria dhe Flamurtari.

Vushtrriasit, të cilët njihen për tifozerinë e zjarrtë të tyre, u mobilizuan në fillim të këtij sezoni me qëllim rikthimin në Superligë, aty ku ishin shpallur kampionë të Kosovës vite më parë.

Mirëpo, punët nuk u shkuan siç menduan pasi nuk mundën të futeshin direkt në elitë, andaj këtë do ta kërkojnë përmes barazhit. Vushtrria është qytet i futbollit, jeton për futbollin.

Ky qytet ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj dhe e ka vendin në Superligë.

Por, e njëjta gjë vlen edhe për Flamurtarin.

Klubi prishtinas mezi u rikthye në Superligë një vit më parë pas sakrificës disavjeçare dhe pas qëndrimit në Ligën e Parë.

Tash Kuqezinjtë rrezikojnë të bien nga Superliga pas vetëm një viti.

Mirëpo, ata janë të vendosur që të mos e lejojnë një gjë të tillë dhe synojnë fitore ndaj vushtrriasve.

Siç dihet, ndeshjet e barazhit do të luhen në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndërsa Vushtrria do të luajë në cilësinë e vendësit në këtë terren neutral.

Të enjten, Vëllaznimi – Ferizaj

Dueli ndërmjet vushtrriasve dhe kryeqytetasve nuk është dueli i vetmi interesant në barazh.

Një tjetër që po pritet më kërshëri është ai në mes Vëllaznimit dhe Ferizajt.

Gjakovarët e zhvilluan një pranverë për t’u duartrokitur, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’iu shmangur barazhit pas pikëve të mangëta në vjeshtë.

Vëllaznimi i ka dy finale brenda kësaj jave.

Fillimisht synon ta mposhtë Ferizajn dhe të qëndrojë në Superligë, e më pas të dielën e luan ndeshjen tjetër finale të Kupës së Kosovës me Prishtinën.

Gjithsesi, finalja e së enjtes për Kuqezinjtë është më e rëndësishme sesa ajo e së dielës.

Në anën tjetër, Ferizaj do të tentojë të rikthehet në Superligë pasi bëri një sezon të mirë në Ligën e Parë, por që ishte i pamjaftueshëm për ta siguruar direkt inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar, gjë të cilën e bënë KEK-u dhe Ballkani.

Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet në Drenas dhe ferizajasit janë në cilësinë e vendësit.

Barazhi për Ligën e Parë, në Gjakovë

Ndërkohë në ndeshjet e barazhit për Ligën e Parë, të cilat do të zhvillohen në Gjakovë, më 28 maj, Istogu do të luajë kundër Rahovecit, derisa Trepça do të luajë më 29 maj me fituesin e ndeshjes përcaktuese për vendin e dytë në Grupin B të Ligës së Dytë, Lepenci – Dardana, që luhet më 25 maj në Drenas. /Zëri/

Barazhi për Superligë

E mërkurë

Vushtrria – Flamurtari

E enjte

Ferizaj – Vëllaznimi

Ndeshjet fillojnë në orën 16:00.