Fyerjet ndaj një legjende!

Sport May 22, 2018 - 09:18

Në të gjithë botën tifozët dhe klubet përkulen para ish-futbollistëve legjendarë të tyre, për të cilët shprehin respekt maksimal.

Këtë kishte nisur ta bëjë edhe FC Prishtina, e cila pasi ishte shndërruar në shoqëri aksionare kishte insistuar në kthimin e Fadil Vokrrit nga Franca në Kosovë, duke i ofruar post të drejtorit në klub dhe rrogë të madhe në atë kohë, shkruan "Zëri".

Kthimi i Vokrrit në Prishtinë kishte ngjallur nostalgji. Të gjithë e përmendnin emrin e tij sikur në kohën kur shkëlqente si futbollist në ish-Jugosllavi.

Por nuk vonoi shumë dhe nisën përçarjet e aksionarëve të klubit me ish-futbollistin legjendar.

Vokrri po largohej nga Prishtina për ta marrë drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), por akuzat e prishtinasve ndaj tij nuk ndalen dot asnjëherë. Përkundrazi, ato vetëm sa po shtohen dhe po ashpërsohen, shkruan më tutje "Zëri".

Kjo pasi Prishtina dhe “Plisat” po konsiderojnë se Vokrri në vazhdimësi po ua punon të keqen prapa shpine dhe thonë se po u shkakton dëme të pariparueshme, që po u kushtojnë edhe me humbje të trofeve.

Prishtina e humbi titullin e kampionit pasi të dielën nuk fitoi dot me Dritën (0:0), në një ndeshje ku referimi ishte për kritikë.

Por shumë më i fyer se gjyqtari ishte Fadil Vokrri, të cilin “Plisat” disa herë e shanë në kor. Kjo sikur nuk mjaftoi dhe pas ndeshjes kryetari i “Plisave”, Albert Kastrati – “Tigri”, e quajti Vokrrin “Grobar”.

“Grobari’ quhet tifogrupi i Partizanit të Beogradit, ku Vokrri ishte transferuar nga Prishtina në vitet e ’80-ta.

“Lufta përfundimtare me Fadil Grobarin do të ndodhë pas kthimit në shtëpinë (stadiumin) tonë. Sot na është lënduar një tifoz i “Plisave”, pasi një tifoz i Dritës ka hyrë me kerr në mes të turmës. Fajtor është Fadil Grobari, i cili vetëm e vetëm që ta bëjë Dritën kampion nuk ka lejuar të zhvillohet loja sigurt në Prishtinë”, ka thënë “Tigri”.

Në anën tjetër, FC Prishtina konsideron se luftën për titull ia humbi ish-futbollisti i saj, tani kryetar në federatë.

“Prishtina duke treguar korrektësi në organizim, duke mos lejuar asnjë ekses, dinakërisht edhe në lojën e fundit ia dolën që edhe pas pesë edicionesh t’ia rrëmbejnë titullin”, thekson klubi bardhekaltër, raporton "Zëri".

“Prishtina gjithmonë do të jetë në garë për titull, ndërsa rival gjithmonë do të ketë skuadra të ndryshme, varësisht se cila do t’ia lagë e do t’ia trashë më shumë klikës së Vokrri & Co”, ka theksuar FC Prishtina.

Këto s’janë asgjë. Ditëve të kaluara akuzat e FC Prishtinës dhe të “Plisave” ndaj Vokrrit kanë qenë akoma më të shumta dhe më të rënda.

Klub e tifogrup e fajësuan Vokrrin për ushtrim të ndikimit që ndeshja vendimtare për titull të mos zhvillohet në stadiumin e Prishtinës, në të cilin insistonin FC Prishtina dhe “Plisat”. /ZËRI/