Festa Kuqezi e mbretërve të Maqedonisë

Sport May 21, 2018 - 13:41

Shkëndija është mbretëreshë e Maqedonisë. Kuqezinjtë e kanë festuar edhe zyrtarisht të dielën titullin e kampionit pas fitores ndaj Pelisterit. Tetovarët e kurorëzuan me sukses një sezon të jashtëzakonshëm pasi e dominuan totalisht futbollin maqedonas. Pas paraqitjeve solide në Europa League për disa sezone, është koha për Ligën e Kampionëve. Shkëndija synon të lërë gjurmë edhe në këtë kompeticion prestigjioz

Shkëndija e ka festuar edhe zyrtarisht të dielën titullin e kampionit të Maqedonisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Tetovarët e kanë kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm, në të cilin ishin dominues absolutë ndaj kundërshtarëve, sidomos ndaj përcjellësit kryesor, Vardar nga Shkupi, të cilin e lanë me “kilometra” prapa.

Trupa e trajnerit Qatip Osmani bëri paraqitje mbresëlënëse dhe si rezultat e siguroi titullin e më të mirit javë më parë, derisa të dielën e festoi titullin e dytë në histori.

Shkëndija e mbylli sezonin me 91 pikë nga 36 ndeshje të zhvilluara, derisa të dielën e mposhti Pelisterin me rezultat të pastër, 4:0 falë dy golave të Ferhan Hasanit dhe nga një të Armend Alimit dhe Stenho Junior.

Image

Pas Europa Leagues, koha për Champions

Shkëndija bëri paraqitje mbresëlënëse në Europa League viteve të fundit duke iu afruar shumë madje edhe fazës së grupeve.

Kjo skuadër diti të eliminojë ekipe të njohura evropiane, kurse sezonin e kaluar i mati forcat edhe me gjigantin italian, Milan.

Dhe, pas eksperiencave të suksesshme në Europa League, tash është koha për Ligën e Kampionëve.

Tetovarët sezonin e ardhshëm do të marrin pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit evropian me synimin që të lënë përshtypje të mira dhe gjurmë edhe në këtë eveniment.

Pa dyshim, meritat më të mëdha për këtë ngritje të madhe të Shkëndijës i ka kompania “Ecolog” me pronar Lazim Destanin, që e kanë bërë Shkëndijën model dhe shembull për klubet tjera shqiptare, por edhe të rajonit në përgjithësi.

“Ju lumtë Shkëndija! Tashmë Shkëndija edhe zyrtarisht u shpall kampione. Është ky një sukses për t’u shënuar, titulli kampion – i dyti në historikun e klubit, ndërsa i pari pas marrjes nën përkujdesje të ‘Ecologut’. Paçi shëndet dhe suksese me fitore e arritje të reja! Urime të gjithëve së bashku!”, kishte shkruar në rrjetet sociale pronari Destani javë më parë.

Image

Osmani: Jemi të lumtur, s’do të ndalemi me kaq

Edhe trajneri Qatip Osmani i ka meritat e tij, pasi e menaxhoi mjaft mirë ekipin, i cili e fitoi titullin e dytë në histori të klubit, pas atij të fituar në vitin 2011.

“Shkëndija u shpall kampione dhe jam i lumtur për këtë fakt. Shpresojmë se Shkëndija nuk do të ndalet vetëm me titullin e kampionit, shpresojmë ta marrim edhe Kupën e Maqedonisë. Gjithashtu, edhe në kupat e Evropës së paku ta përsërisim rezultatin e sezonit të kaluar”, ka thënë Osmani, i cili mendon se me ardhjen e kompanisë “Ecolog”, Shkëndija po shkon në drejtim të duhur dhe është bërë ekip serioz, ekip i madh. /Zëri/