E treta, e vërteta

Sport May 18, 2018 - 11:05

Bashkimi tashmë është shumë afër që ta shënojë suksesin më të madh në historinë e tij, shkruan sot gazeta Zëri.

Ekipin portokalli e ndan veç edhe një fitore nga titulli i kampionit të Kosovës në basketboll, të cilin trofe prizrenasit nuk e kanë fituar asnjëherë, ndonëse janë vlerësuar në mesin e ekipeve më të forta në vend.

Ekipi i “Arpaxhikëve” është shumë afër ta rrëzojë nga fronti Sigal Prishtinën.

Ekipi më i trofeshëm në vend të mërkurën u mposht për të dytën herë nga Bashkimi në serinë e finaleve të “Play-Off”-it.

Pasi e kishin fituar ndeshjen e parë në kryeqytet me vetëm tri pikë epërsi, prizrenasit e shfrytëzuan shansin dhe para publikut të tyre të mërkurën e “shkelën” Prishtinën duke e mposhtur bindshëm, 90:78.

Për t’u bërë kampion nevojiten tri fitore. Bardhekaltrit nuk e kanë shënuar asnjë, kurse portokallinjtë i kanë arritur dy.

Ndeshjen e radhës do ta zhvillojnë në fundjavë në kryeqytet.

Derisa prishtinasit do ta kërkojnë këndelljen, prizrenasit do ta kërkojnë fitoren e tretë që ia dorëzon edhe trofeun e titullit.

“Tani jemi vetëm një fitore larg titullit të kampionit. Natyrisht, jemi shumë afër. Por ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kjo për shkak se ndeshjen e tretë do ta zhvillojmë në Prishtinë. Sigal Prishtina ka përvojë të madhe dhe cilësi, kështu që do të provojë ta marrë veten. Ne nuk duhet të mendojmë për festë ose të festojmë para kohe. Është detyrë jona t’i fokusohemi maksimalisht vetëm lojës së tretë që po na pret”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Dragan Radoviq.

Bashkimi në fundjavë do ta zhvillojë takimin e tretë final për titull të kampionit.

Ky është një shans ideal për prizrenasit që ta arrijnë qëllimin dhe ta fitojnë trofeun e parë pas plot 17 vjetësh.

Trofeu i vetëm, i parë dhe i fundit, që e ka fituar Bashkimi është Kupa e Kosovës në vitin e largët - 2001-n.

Bashkimi sivjet ka luajtur edhe në dy finale tjera, por ka dështuar të stoliset me trofe.

Fillimisht është mundur në finale të Kupës së Kosovës pikërisht nga Sigal Prishtina.

Kurse, sukses kulmor shënoi në Ligën Ballkanike, ku në finale për titull të kampionit humbi nga Levski i Bullgarisë.

Kjo tregon se kualifikimi i këtij ekipi në finale të titullit të kampionit në Kosovë nuk është rastësi.

Për këtë trajneri Radoviq merita u jep basketbollistëve të tij për të cilët thotë se kolektivisht po e bëjnë më të mirën për ekipin portokalli. /Zëri/