Ejupi: Njëherë në dhjetë vjet vjen një lojë si Prishtina - Drita

Sport May 16, 2018 - 16:56

Derbi i xhiros së fundit në Vala Superligë, mes Prishtinës dhe Dritës do të zhvillohet në Pejë në stadiumin e Besës (Shahin Haxhiislami).

Skuadra e Prishtinës, tifozët ‘Plisat’ dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishin bërë kërkesë para dy ditëve që ndeshja të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, mirëpo MKRS dhe FFK-ja nuk e kanë marrë parasysh këtë kërkesë, duke e refuzuar atë në ditën e djeshme, me arsyetimin se stadiumi ende nuk i ka përfunduar punimet dhe se nuk i plotëson kushtet për një ndeshje vendimtare si kjo mes Prishtinës dhe Dritës.

Dyshimet u ngjallën se ndeshja mund të luhet në stadiumin ‘Adem Jashari’, mirëpo edhe nuk do të ndodhë. Mirëpo Presidenti i klubit futbollistik Prishtina, Remzi Ejupi ka folur për ‘GazetaBlic’, ku edhe ka deklaruar se ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Pejës.

“Ndeshja Prishtina – Drita do të zhvillohet aty ku kemi luajtur deri tani – në Pejë. Është keq që nuk do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, sepse kishte mundësi. Është dashur t’i jepet hapësirë, pasi kjo ndodhë një herë në 10 vjet, është dashur t’i jepet hapësirë edhe rivalëve edhe simpatizuesve të Prishtinës dhe Dritës”, tha fillimisht Remzi Ejupi.

“Tani jemi të kufizuar në Pejë, sepse kemi një kërkesë shumë të madhe të simpatizuesve të Prishtinës, por ka pak vend në stadium. Dëshira ishte që ajo ndeshje të mbahet në Prishtinë dhe të ketë hapësirë më shumë. Ndeshja do të zhvillohet në Pejë”, përfundoi Ejupi.

Ndeshja mes Prishtinës dhe Dritës është një nga ndeshjet më interesante të viteve të fundit në futbollin kosovar, sepse kampioni do të vendoset në xhiron e fundit pasi të zhvillohet 90 minuta në stadiumin e Besës, ku skuadra e Prishtinës i ka zhvilluar ndeshjet në sezonin pranveror.

Prishtina do të shpallet kampion nëse fiton me dy gola epërsi, ndërsa Drita do të fitonte titullin në rast të fitores, barazimit apo disfatës me një gol dallim. Drita ndodhet në vendin e parë me 66 pikë, kurse Prishtina në vendin e dytë me 63 pikë.

Në ndeshjen e parë mes ekipeve Drita kishte dalur fituese me rezultatin 1-0, kurse ndeshja e dytë përfundoi me rezultatin e barabartë 0-0.