Evropa pret fituesin

Sport May 16, 2018 - 13:08
Detajet

Të mërkurën vëmendja e futbolldashësve do të jetë kah stadiumi “Groupama” në Lyon të Francës, aty ku do të zhvillohet finalja e Ligës së Evropës mes Olimpique Marseillet dhe Atletico Madridit. Kompeticioni i dytë futbollistik për nga rëndësia në Evropë pritet të sjellë një ndeshje mjaft interesante mes spanjollëve që kërkojnë trofeun e tretë në këtë garë dhe të francezëve që kërkojnë triumfin e parë, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Sonte me fillim prej orës 20:45 vëmendja e tifozëve të sportit më të popullarizuar në botë do të jetë kah “Groupama”, stadiumi ku do të luhet finalja e kompeticionit të dytë për nga rëndësia në futbollin evropian. Marseille dhe Atletico Madridi do të përballen mes vete në kërkim të suksesit evropian. 

Deri më tani asnjë ekip francez nuk ka triumfuar në Ligën e Evropës, ndërsa Atletico Madridi do të kërkojë titullin e tretë në këtë kompeticion. Klubi madrilen më herët kishte triumfuar në vitet 2010 dhe 2012. Ndërkohë që Marseille ka vetëm një sukses evropian dhe atë në Ligën e Kampionëve të vitit 1993.

Dy skuadrat janë ballafaquar vetëm dy herë mes vete. Një takim i ka takuar Atletico Madridit, ndërsa një herë janë ndarë baras. Mungesa e vetme për Rudi Garcian në këtë ndeshje pritet të jetë Adil Rami, i cili mungon për shkak të kartonëve, ndërsa te Atletico Madridi në dyshim është prezenca e mesfushorit Victor Vitolo. Mungesa më e madhe për spanjollët në këtë takim pa dyshim që do të jetë trajneri Diego Simeone, i cili nuk do të jetë prezent në bankinë për shkak të suspendimit. Strategu argjentinas ishte suspenduar nga UEFA për shkak të fyerjeve që kishte bërë ndaj gjyqtarit në sfidën gjysmëfinale të Ligës së Evropës ndaj Arsenalit.

Gjatë rrugëtimit të tyre për në finale Marseille ka eliminuar Bragan, Athletic Bilbaon, Leipzigun dhe Salzburgun, ndërsa madrilenët kanë eliminuar Copenhagen, Lokomotivën e Moskës, Sporting Lisbonën dhe Arsenalin.

Gjyqtari i kësaj sfide do të jetë holandezi Bjorn Kuipers me asistentët Sander van Roekel, Erwin Zeinstra.

Mesfushori i Atletico Madridit Gabi thotë se skuadra e tij e ka karakterin dhe personalitetin e duhur për të triumfuar në këtë garë. “Ky ekip e ka karakterin dhe personalitetin e duhur për fitore. E vetmja gjë që kemi në mendjet tona është fitorja”, shprehet Gabi.

Në anën tjetër optimist shprehet edhe mbrojtësi i Marseilles Rolando, i cili thotë se trajneri Rudi Gacia u kishte thënë atyre se mund t’i shkojnë deri në fund kësaj gare. “Që prej fillimi të këtij kompeticioni Garcia kishte thënë se ne do t’i shkojmë deri në fund. Edhe pse duhej të kalonim përmes ndeshjeve të barazhit, ai vazhdonte të thoshte, ‘jo, jo ne do të shkojmë atje. Futeni këtë gjë në kokë’. Ai kishte të drejtë”, thotë Rolando./Zëri

Liga e Evropës

Finalja

E mërkurë

20:45 Marseille – Atletico Madrid