Nga Liga e Parë drejt Evropës

Sport May 16, 2018 - 10:07
Detajet

Në edicionin e ardhshëm në Superligën e Kosovës në futboll do të garojë edhe Ballkani, i cili tashmë e ka siguruar inkuadrimin në elitë pas një sezoni mjaft të suksesshëm në Ligën e Parë, ku po përfundon si i dyti pas KEK-ut. Klubi nga Suhareka muajve të fundit është riorganizuar dhe tani mezi po e pret kampionatin e ardhshëm, gjatë të cilit synon të bëjë mrekulli në Superligë, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Në këtë ngritje Ballkani numëron shumë meritorë dhe njëri ndër ta është trajneri Bekim Shotani, i cili në 12 ndeshjet e fundit kampionale nuk ka ditur se çka është humbja, duke i regjistruar 9 fitore dhe 3 barazime me një goldallim prej 22:4.

Kjo ka bërë që Shotani të ndihet i sigurt në postin e tij. Ai ka plane të mëdha me Ballkanin në Superligë gjatë edicionit të ardhshëm me ambicie për të fituar trofe. “Nuk do të jem pjesë e ekipeve që nuk kanë ambicie. Ballkani është klub i shkëlqyeshëm. Synojmë të befasojmë në Superligë, natyrisht menjëherë pasi ta sigurojmë një stabilitet”, ka thënë ish-trajneri i Vushtrrisë dhe i Drenicës. Ballkani pritet t’i sjellë hijeshi Superligës sepse përveçqë është i organizuar mjaft mirë e ka edhe një tifozeri të madhe.

Futbollisti i njohur i këtij ekipi Durim Gashi thekson se inkuadrimi në Superligë ishte sfidë e vështirë për Ballkanin, por e kaluar me sukses. “Ishte shumë vështirë sepse konkurrenca ka qenë shumë e madhe duke e parë Vushtrrinë shumë të përforcuar, por ne me sukses e arritëm Superligën”, ka theksuar ai. Sulmuesi ka treguar se kryesia e klubit qysh tani ka filluar të mendojë për kualifikim në gara evropiane gjatë edicionit të ardhshëm përmes Kupës së Kosovës ose përmes titullit të kampionit. “Ballkanin tash e tutje e shoh shumë të organizuar sepse presidenti ynë Arsim Kabashi kërkon menjëherë Evropën e jo të jemi një ekip sa për sy e faqe në Superligë”, ka potencuar Gashi, i cili bashkë me futbollistët tjerë presin të shpërblehen me premi për suksesin e arritur./Zëri