Gjyqtari serb prapa grilave – referoi penallti të paqenë

Sport May 15, 2018 - 16:41
Detajet

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se e ka arrestuar gjyqtarin e futbollit Sergjan Obradoviq për shkak të dyshimit se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, transmeton Gazeta Express.

“Ai dyshohet se në ndeshjen e futbollit në Suboticë, ndërmjet Spartakut dhe Radniçkit të Nishit, duke shfrytëzuar pozitën e vet zyrtare e ka favorizuar skuadrën vendase dhe me këtë e ka vënë në pozitë më të volitshme ndaj kundërshtarëve”, Ministria serbe ka thënë në një njoftim.

Atij i është shqiptuar masa e ndalimit në arrest për 48 orë, pas çka do të çohet në prokurori për t’u marrë në pyetje.

Obradoviq vikendin e shkuar referoi dy penallti në favor të Spartakut vendas, ndërsa penalltia e dytë ishte tejet e çuditshme.

Para kësaj ai me dy kartonë të verdhë të njëpasnjëshëm përjashtoi lojtarin më të mirë të mysafirëve.

Menjëherë pas ndeshjes, kryetari i Federatës Serbe të Futbollit Slavisha Kokeza paralajmëroi se do të kërkojë që arbitri në fjalë të hiqet nga listat e gjyqtarëve. Pasoi marrja në pyetje e gjyqtarit, e pastaj edhe vendimi për paraburgim 48-orësh.