“Goditjet” e Wengerit

Sport May 15, 2018 - 16:10
Detajet

Arsene Wenger të dielën e pati ndeshjen e fundit të tij në krye të Arsenalit. Strategu francez do të largohet nga “topçinjtë” pas plot 22 vjetëve të kaluara në Londër. Gjatë gjithë këtyre viteve në ekipin e Wengerit sigurisht se ka pasur ndryshime, me hyrje dhe dalje të shumta. Ne jua sjellim disa prej transferimeve më të mira të francezit në stolin e Arsenalit, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Transferimet luajnë rol të rëndësishëm në përbërjen e ekipit. Kjo fushë sigurisht që ka qenë e rëndësishme edhe për Arsene Wengerin gjatë 22 vjetëve të tij te Arsenali. Blerje dhe shitje nga më të ndryshmet, por sigurisht se janë disa që spikasin më shumë. “Goal.com” sjell disa prej transferimeve më të mira të Wengerit në krye të “topçinjve”.

Patrick Vieira, prej Milanit për 3.5 milionë funte – 1996 

Vieira fitoi tre tituj të Premierligës dhe katër FA Cup gjatë nëntë vjetëve të tij te Arsenali, duke qenë edhe kapiten gjatë periudhës kur ishin të pamposhtur për 49 ndeshje radhazi dhe duke bërë 400 paraqitje për londinezët. Ai iu bashkua Arsenalit nga Milani për 3.5 milionë funte dhe do të kujtohet si njëri prej më të mëdhenjve te londinezët. Rivaliteti i tij me kapitenin e Manchester Unitedit, Roy Keane, ishte legjendar.

Kolo Toure, prej ASEC Mimosas për 150.000 funte – 2002

I aftë për të luajtur si mbrojtës i djathtë, mesfushor defansiv apo qendërmbrojtës, Toure u bë njëri prej të preferuarve të Arsene Wengerit dhe ishte pjesë e edicionit 2003/2004, kur Arsenali e mbylli edicionin pa asnjë humbje. Partneriteti i Toures me Sol Campbellin bëri që Arsenali t’i arrijë 15 ndeshje pa pësuar gol në atë edicion. Ai madje ishte edhe kapiten gjatë periudhës 2006-2007.

Gilberto Silva, prej Atletico Mineiros për 4.5 milionë funte – 2002

I njohur me nofkën “Muri i pathyeshëm” nga tifozët dhe analistët, kontributi i Silvas te Arsenali ishte i madh derisa u largua në drejtim te Panathinaikosit në 2008-ën.

Një mesfushor inteligjent, lider dhe me aftësi të mira për të lexuar lojën e bëjnë atë lojtar kyç të Arsenalit.

Alexis Sanchez, prej Barcelonës për 35 milionë funte – 2014

Arritja e Sanchezit te Arsenali tregoi se Arsene Wenger ende ka aftësi për të bindur një lojtar t’u bashkohet londinezëve. Ishte bërë e qartë që Sanchez do të largohej nga Barcelona në verën e vitit 2014 dhe pas një paraqitjeje të mirë në Kupën e Botës kiliani kishte tërhequr vëmendjen e disa klubeve. Ai e zgjodhi Arsenalin dhe u bë njëri prej lojtarëve më të mirë të klubit në atë dekadë, duke realizuar 60 gola në 122 paraqitje në ligë dhe duke ndihmuar klubin që të triumfojë dy herë në FA Cup.

Robert Pires, prej Marseilles për 6 milionë euro – 2000

Pavarësisht se vuajti për t’u ambientuar në muajt e parë, Robert Pires u bë një legjendë e Londrës Veriore. Ai shënoi 84 gola në 284 paraqitje, por aftësitë e tij teknike e bënë atë të veçantë nga të tjerët. Nën drejtimin e Wengerit, Pires formoi një partneritet në anën e majtë të fushës me Ashley Colen dhe Thierry Henryn, me të cilin kishin realizuar 57 gola së bashku në të gjitha garat në edicionin e tyre të parë.

Emmanuel Petit, prej Monacos për 2.5 milionë funte – 1997

Partneriteti i Emmanuel Petitit me Patrick Vieiran në qendër të mesfushës ishte njëri prej më të mirëve në historinë e futbollit. Wenger e kishte njohur Petitin nga ditët e tij te Monaco dhe e transformoi atë nga një mbrojtës në një mesfushor. Përkrah Vieiras, ai ndihmoi Arsenalin për të fituar ligën dhe kupën në vitin 1998 para se të largohej drejt Barcelonës dy vjet më vonë.

Mesut Ozil, prej Real Madridit për 42.5 milionë funte – 2013

Në vitin 2013 Arsenali kishte shkuar në tetë vjet pa asnjë titull dhe njerëzit filluan të besonin në zbehjen e klubit në futbollin anglez. Shumë njerëz e vunë në dyshim aftësinë e Arsenalit për të sjellë emra të mëdhenj pas largimit të Robin van Persiet drejt Manchester Unitedin në verën e vitit 2012. Këta njerëz shpejt mbetën të habitur kur Arsenali e theu rekordin e tyre të transferimeve me nënshkrimin e Mesut Ozilit, ylli i parë që kishte nënshkruar me Arsenalin pas disa viteve me probleme financiare për shkak të ndërtimit të “Emirates”. Një mesfushor me shumë klas, shumë teknik dhe një fitues i Kupës së Botës që do të mbahet mend gjatë në Londër.

Thierry Heny, prej Juventusit për 10.5 milionë funte - 1999

Ndoshta më i miri që ka veshur fanellën e Arsenalit. Henry realizoi 228 gola, duke e kthyer atë në një legjendë të klubit dhe momentet e tij të lavdishme ende kujtohen edhe sot. “Thierry Henry mund të merrte topin në mes të parkut dhe të shënonte një gol që askush tjetër nuk do të mundte”, kishte deklaruar Wengeri. Henry kishte fituar tri liga, tri FA Cup dhe tri “Këpucë të Arta” para se të largohej te Barcelona në 2007-ën./Zëri